Ndërlidhjet

logo-print

Kosovë: 1343 persona të akuzuar për mashtrim në zgjedhje


Prokuroria e Shtetit sot e ka publikuar raportin lidhur me lëndët që kanë të bëjnë me keqpërdorimet në zgjedhjet e parakohshme të 12 dhjetorit 2010 në Kosovë.

Prokuroria thotë se nga 30 dhjetori 2010 e deri më 9 janar 2011, ka marrë 191 raste, “përmes të cilave subjektet politike, kandidatët, shoqëria civile dhe vëzhguesit e zgjedhjeve, kanë paraqitur ankesa lidhur me parregullsitë që kanë shënuar procesin e zgjedhjeve”.

Në këtë kuadër, mëtutje në njoftim theksohet se Prokuroria Komunale në Prishtinë ka pranuar 160 lëndë, nga të cilat “janë akuzuar 147 persona, për vepër penale mashtrim në votim”.

Mëtutje theksohet se Gjykata Komunale në Prishtinë ka marrë gjashtë aktgjykime, përfshirë katër raste dënim me gjobë, një rast dënim me kusht dhe një aktgjykim refuzues.

Gjykata Komunale në Gllogovc ka marrë gjashtë aktgjykime, në të cilat “ka shqiptuar dënim me burg, duke i zëvendësuar me dënim me gjobë”.

Prokuroria Komunale në Prishtinë ka ushtruar ankesë kundër aktgjykimeve në 10 raste.

Prokuroria e Shtetit ka paraqitur të dhëna edhe për lëndët në Gjilan, Ferizaj, Gjakovë, Mitrovicë, Prizren dhe Pejë.

Sipas rezultateve të pranuara nga Prokuroritë Komunale të Kosovës, deri tash janë akuzuar 1343 persona, që kanë të bëjnë me vepër penale të mashtrimit në votime dhe për keqpërdorim të së drejtës së votimit.

Planifikohet që në të ardhmen të akuzohen edhe 931 vetë.

Në fund të kumtesës së Prokurorisë së Shtetit theksohet se sipas statistikave të pranuara deri tash, lëndët që kanë përfunduar me aktgjykime, “kryesisht kanë pasuar me dënime me kusht dhe dënime me gjobë, si dhe tri raste dënime plotësuese, ku komisionarëve u është shqiptuar ndalimi i ushtrimit të profesionit në kohëzgjatje prej katër vitesh”.
XS
SM
MD
LG