Ndërlidhjet

logo-print
Një ndër shqetësimet kryesore të personave me nevoja të veçanta, është shkalla e lartë e papunësisë, thonë përfaqësues të organizatave që merren me mbrojtjen dhe integrimin e personave me nevoja të veçanta. Sipas tyre, punësimi i këtyre personave nëpër institucionet shtetërore apo edhe në kompani private, është tejet i vështirësuar dhe gati i pamundur.

Ligji për aftësimin, riaftësimin profesional dhe punësimin e personave me nevoja të veçanta, siç thekson Afrim Maliqi, drejtor i Organizatës Joqeveritarë “Handikos”, nuk është duke u zbatuar dhe si pasojë e kësaj, thotë ai, këta persona nuk mund të punësohen.

“Qytetarët me aftësi të kufizuar në Kosovë i kanë mundësitë më të vogla për të ardhur deri te punësimi. Pavarësisht ligjit të miratuar, ai ligj nuk është duke u zbatuar dhe kjo reflektohet drejtpërdrejt te punësimi i personave me aftësi të kufizuar”, thekson Maliqi.

Duke u bazuar në shifrat e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, përafërsisht 10 për qind e popullatës së përgjithshme në Kosovë, llogaritet të jetë me nevoja të veçanta. Ndërkohë, që prej tyre janë të punësuar një numër shumë i vogël, thotë Gëzim Abazi, drejtues i organizatës “Hendikep Kosova”.
Kur flasim për punësimin e këtyre personave, mund të themi se mund t‘i numërosh në gishta.

“Kur flasim për punësimin e këtyre personave, mund të themi se mund t‘i numërosh në gishta. Edhe pse ekziston forma ligjore që mbron integrimin e këtyre personave në kuadër të sistemit të punësimit, realisht është shumë e ulët, apo nuk reflektohet askund”, bën të ditur Abazi.

Përfaqësues të këtyre organizatave theksojnë se institucionet e Kosovës janë zotuar që në ndonjë ndërmarrje, kompani ose edhe në institucione shtetërore, në çdo numër prej 51 personash të punësuar, një duhet të jetë person me nevoja të veçanta. Por, kjo nuk është duke u zbatuar, thotë Afrim Maliqi, drejtor i Organizatës Joqeveritare “Handikos”.

“Ne e dimë se vetëm 2 persona me aftësi të kufizuar janë të punësuar në dy ministri, si zyrtarë për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara. Ndërsa, për të tjerët ndoshta ka të punësuar në ndonjë kompani private, por nuk kemi informata se a janë punësuar prej asaj se janë persona me aftësi të kufizuar, sipas ligjit, apo si”, sqaron Maliqi.

Ndërkohë, një ndër prioritetet e institucioneve të Kosovës, është që personave me nevoja të veçanta t’u krijohet mundësia e punësimit. Qeveria e Kosovës, vetëm gjatë këtij viti do të fillojë zbatimin e një pilot-projekti të inkubatorit social, përmes të cilit parashihet punësimi i personave me nevoja të veçanta.

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Nenad Rashiq, deklaron se krijimi i inkubatorëve socialë do të ndihmojë në punësimin e personave me nevoja të veçanta.

“Inkubatorët janë paraparë të jenë të vegjël që të kenë rreth 50-60 persona të punësuar në të dy sektorët, që mund të krijojnë një mundësi për prodhim. Ne, si institucione, ministria, donatorët dhe eventualisht komunat, do të jemi pjesë që do të organizojmë inicimin e parë të inkubatorit social”, thekson Rashiq.

Në bazë të ligjeve aktuale, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale përkrah financiarisht fëmijët me nevoja të veçanta deri në moshën 18-vjeçare, me shumën prej 100 eurosh, për të kaluar pas kësaj moshe në pensionin invalidor prej 45 eurosh në muaj.
  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG