Ndërlidhjet

Rasmusen: Afganët e marrin përgjegjësinë më 2013


Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fog Rasmusen, thotë se pret që forcat afgane do ta marrin përgjegjësinë e plotë për siguri në vendin e tyre deri në mesin e vitit 2013, duke lejuar që NATO-ja shkallë-shkallë t’i tërheq trupat e saj luftarake.

Duke folur në samitin e ministrave të mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-s, sot në Bruksel, zoti Rasmusen i ka hedhur poshtë sugjerimet se tranzicioni gradual, që fillon në mes të vitit 2013, nënkupton se aleanca po e mbyllte rolin e saj luftarak në Afganistan më herët.

Të gjitha trupat e jashtme të udhëhequra nga NATO-ja në Afganistan, parashihet të largohen deri në fund të vitit 2014.

Më herët, sekretari amerikan i mbrojtjes, Leon Paneta, tha se shpreson se trupat amerikane dhe trupat e tjera të jashtme në Afganistan do ta përfundojnë misionin e tyre luftarak, deri në mes të vitit 2013 dhe ta fillojnë tranzicionin në “rol trajnues dhe këshillues”.

Presidenti i Francës, Nikollas Sarkozi, i tha këtë javë presidentit afgan, Hamid Karzai, se Franca dëshiron ta përfundoj misionin luftarak në Afganistan, në vitin 2013.
XS
SM
MD
LG