Ndërlidhjet

“Edhe krejt spektri politik po të pranonte heqjen e Republikës, unë nuk e pranoj”, ka thënë kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, në intervistën dhënë Radios Evropa e Lirë.


RADIO EVROPA E LIRË
Zoti kryeministër, cila është e ardhmja e veriut të Kosovës? Tashmë është kërkuar nga qeveria juaj një plan i veçantë për veriun. Çka nënkupton kjo? Një status special?

HASHIM THAÇI
E ardhmja edhe e veriut të Mitrovicës është e ardhmja identike me shtetin sovran të Kosovës. E ardhmja e veriut është e ardhmja e Kosovës, duke respektuar gjithmonë Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës; duke respektuar dokumentin e presidentit Ahtisari, prandaj në asnjë rrethanë nuk do të ketë as status special, as ndonjë propozim që lexohet në ndonjë medium, dhe një gjë e tillë asnjëherë nuk është shtruar së diskutuari, e lëre së propozuari nga ndokush.

Pra, veriu i Mitrovicës është pjesë e Kosovës. Kosova do të funksionojë si një njësi shtetërore, me integritetin territorial të respektuar e garantuar e të njohur edhe ndërkombëtarisht.

RADIO EVROPA E LIRË
Ju e hidhni poshtë këtë mundësi, por realiteti në terren në veri dëshmon se atje nuk ka pajtim me planin e Ahtisarit dhe pavarësinë e Kosovës. Me çka do të bindni serbët që të ndryshojnë qëndrim?

HASHIM THAÇI
Qeveria e Republikës së Kosovës dhe gjithë mekanizmat ndërkombëtarë që janë të instaluar në Kosovë do të vazhdojnë të punojnë që të jenë sa më afër qytetarëve në veri, në mënyrë që edhe ata të kuptojnë realitetin e ri të krijuar. Dokumenti i presidentit Ahtisari është dokumenti më afirmativ për komunitet në Evropë.

Edhe e ardhmja e qytetarëve serbë, edhe e të tjerëve në veri, është duke u integruar në institucionet e Kosovës. Unë kam vazhduar të kem kontakte edhe direkt, por edhe përmes mekanizmave të tjerë, me njerëz me ndikim në veri përmes OJQ-ve të ndryshme, apo personaliteteve të ndryshme me ndikim në opinionin publik atje.

Gjërat kam besim që do të fillojnë të ndryshojnë për të mirë dhe ne do të vazhdojmë me angazhimin tonë konkret që të kemi rend dhe ligj, që të kemi investime socio-ekonomike, të kemi demokraci, zgjedhje të lira, lidership legjitim dhe të vazhdojmë me përkushtimet tona mbështetëse integruese dhe zhvillimore për veriun.

Realisht për vitet të tëra aty nuk ka pasur rend dhe ligj, tani për herë të parë pas 12 vjetësh, nga 25 korriku, kemi doganierët dhe policët e Kosovës. E rëndësishme është që tash kemi kontrolle kufitare nga institucionet e Kosovës dhe ato ndërkombëtare. Tani, natyrisht se kërkohet ky kontakt me qytetarët në veri që të sqarojmë përgjegjësitë tona shtetërore para tyre, që ata qytetarë të jetojnë në Kosovën e pavarur dhe sovrane, të jetojnë të lirë dhe me të drejta të garantuara. Ata janë qytetarë, shtetas tanë, dhe ne do të jemi pranë tyre me ofertat tona afirmative integruese.
RADIO EVROPA E LIRË
Jeni shprehur në favor të takimit me presidentin serb Boris Tadiq. Në çfarë rrethanash do të mbahej një takim i këtillë dhe për çfarë do të bisedonit?

HASHIM THAÇI
Realisht, kjo nuk është hera e parë e deklarimeve të tilla. Është e nevojshme, është e domosdoshme për interesin e dy shteteve, dy popujve tanë, të paqes, të stabilitetit, bashkëpunimit rajonal, të ketë takime të liderëve politikë të zgjedhur në mënyrë legjitime të shteteve përkatëse.

Takime të delegacionit kosovar ka pasur edhe në Vjenë edhe në vende të tjera. Prandaj në interesin e dy vendeve tona, është që të ketë edhe komunikim të drejtpërdrejt ndërshtetëror në mes të lidershipit kosovar edhe atij të zgjedhur të Serbisë, por gjithmonë si dy shtete të pavarura sovrane, duke punuar për interesin e dy vendeve, qytetarëve tanë dhe perspektivës euro-atlantike, edhe të Kosovës edhe të Serbisë edhe të gjithë rajonit.

RADIO EVROPA E LIRË
Përfaqësimi i Kosovës në forumet rajonale ka bërë që të ngecin edhe përpjekjet për rifillimin e bisedimeve. A janë vënë në pikëpyetje këto bisedime duke pasur parasysh qëndrimet tërësisht të kundërta të të dyja palëve?

HASHIM THAÇI
Prishtina do të vazhdojë të jetë kreative dhe e përgjegjshme në procesin e dialogut ndërshtetëror mes Kosovës dhe Serbisë për çështje teknike në interesin e gjithë qytetarëve, pa dallime etnike. Ndërsa sa i përket zhurmës së ditëve të fundit, deklaroj shumë qartë se Qeveria e Republikës së Kosovës do ta respektojë me përpikëri Kushtetutën e Republikës së Kosovës, ligjet e Kosovës, dhe dokumentin e presidentit Ahtisari.

Dhe, e heq gjithë atë mjegull apo pretendim zhurmues elektoral politik se diçka e tillë nuk do të lejohet të ndodhë, diçka e tillë as që është propozuar, por, çdo zgjidhje që Prishtina do ta pranojë edhe në të ardhmen, do të jetë zgjidhje në përputhshmëri të plotë me vullnetin qytetar të Kosovës, duke respektuar Kushtetutën e Kosovës dhe modelin evropian.

Tek e fundit, them të drejtën, sa i përket deklarimeve të lira që po dalin aty - këtu, mund t’ju them lirisht se edhe krejt spektri politik po të pranonte heqjen e Republikës, unë nuk e pranoj.

RADIO EVROPA E LIRË
Deri ku jeni ne gjendje të shkoni për të rifilluar procesin?

HASHIM THAÇI
Jemi duke punuar për konsolidimin dhe forcimin e shtetit. Tani kemi edhe deklarimin e Grupit Drejtues Ndërkombëtar që mbështet zotimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për të përmbyllur mbikëqyrjen e pavarësisë. Kemi edhe rezolutën nga Kuvendi i Republikës së Kosovës që shpreh gatishmëri dhe i jep mbështetje të plotë Qeverisë së Republikës së Kosovës në këtë drejtim.

Qeveria e Republikës së Kosovës do t’i kryejë të gjitha obligimet që dalin nga rezoluta e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Veç kemi filluar të punojmë si grupe punuese me të gjitha autoritetet përkatëse, prandaj ritheksoj se viti 2012 do të jetë viti i suksesit të plotë të Kosovës, viti i përmbylljes së pavarësisë dhe viti i Kosovës evropiane.

RADI EVROPA E LIRË
Grupi Ndërkombëtar i Krizave ka vlerësuar se “përpjekja e Prishtinës për ta kontrolluar gjithë territorin dhe vendosmëria e serbëve të veriut për të rezistuar, mund të prodhojë më tepër viktima”. A pajtoheni me këtë konstatim ?

HASHIM THAÇI
Në asnjë rrethanë nuk do të lejojmë që të ketë veprime të dhunshme ndëretnike, por, ne do ta shfrytëzojmë gjithë autoritetin tonë, të forcës sonë kushtetuese dhe ligjore për vënie të rendit dhe ligjit, në çdo hapësirë të territorit të Republikës së Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
T’i kthehemi pak skenës së brendshme politike. Zhvillimet e fundit dhe përplasjet tuaja me Vetëvendosjen kanë nxitur drojë për degradimin e fjalorit politik. Si mund të zbuten tensionet midis jush?

HASHIM THAÇI
Realisht Qeveria e Republikës së Kosovës nuk është duke u konfrontuar me askënd. Unë falënderoj gjithë spektrin politik kosovar për mbështetje të plotë që i ka dhënë zotimit të treguar në Vjenë për përmbylljen e mbikëqyrjes së pavarësisë nga trupi drejtues ndërkombëtar. Qeveria e Republikës së Kosovës është duke vazhduar të luajë rolin e vet unifikues, në kuptimin e një agjende të përbashkët shtetërore. Ne kemi qenë edhe në opozitë në vitin 2004 - 2007, kur është formuar ekipi i unitetit, kemi marrë të gjitha përgjegjësitë si lidership, duke vënë së pari interesat e shtetit mbi ato partiake.

Prandaj, edhe thirrja ime sot për gjithë spektrin politik kosovar është që të punojë së pari për Kosovën, pastaj për interesa partiake ose interesa të tjera, sepse është viti më i rëndësishëm historik për Kosovën pas vitit 1999, kur e fituam lirinë, pas vitit 2008 që e shpallëm Kosovën të pavarur dhe sovrane.

Tani është përmbyllja e pavarësisë, pra viti i hapjes së perspektivës euroatlantike. Dhe, në këtë kohë, kërkohet unitet politik, qytetar dhe shtetëror. Natyrisht, në këtë drejtim duhet respektuar mendimet e ndryshme, por këto mendime apo këto ide të mos degjenerojnë me pretendime për marrjen e mekanizmave të pushtetit nga ndonjë forcë politike, sepse kjo nuk ndodh kurrkund në botën demokratike.

Pra kemi të bëjmë me një pikëpamje të respektimit të ligjshmërisë dhe pretendime të marrjes së ligjshmërisë në duart e veta nga një mekanizëm i caktuar politik.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG