Ndërlidhjet

logo-print
Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë ka ndërmarrë të gjitha masat për hetimin e grupeve të ndryshme ekstremiste, të cilët, përmes rrjeteve sociale bëjnë thirrje për protesta të dhunshme për siç thonë “mbrojtjen e interesave nacionale dhe fetare maqedonase”.

Paralajmërimi nga Ministria e Brendshme vjen para thirrjeve të fundit në rrjetin social Facebook për protesta në Manastir, “në mbrojtje të kishave”.

Në këtë qytet, ditë më parë persona të panjohur kishin shkruar grafite ofenduese në muret e një xhamie të shekullit të 16-të.

Ministria e Punëve të Brendshme ka filluar intensivisht t’i përcjellë këto debate, dhe tanimë njësiti për luftë kundër kriminalitetit kompjuterik ka kërkuar edhe rrjetin social Facebook për fshirjen e grupeve që shfrytëzojnë gjuhën e urrejtjes dhe që bëjnë thirrje për përhapje të urrejtjes dhe mostolerancës ndërfetare”, thotë zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme, Ivo Kotevski.

Edhe pse thirrjet e këtilla konsiderohen joserioze nga qarqe të ndryshme politike, ekspertët megjithatë thonë se ato nuk duhet edhe të anashkalohen.

Duhet t’i kuptojmë seriozisht rrjetet sociale, në veçanti kur bëhet fjalë për rrënimin e vlerave, për fyerjen e ndonjë grupi etnik, apo të ndonjë grupi tjetër fetar. Në këtë rast kemi thirrje flagrante të urrejtjes. Kjo mund të reflektohet te pala tjetër që si kundërpërgjigje, po ashtu të bëjë thirrje për urrejtje”, thotë Tatjana Stojanovska nga Fakultetit Filozofik në Shkup.

Ajo për këtë gjendje të krijuar fajëson në veçanti pjesëtarë të caktuar të partive politike të cilat, sipas saj, në mënyrë indirekte mbështesin thirrjet e këtilla që tensionojnë edhe më shumë gjendjen në vend.

Edhe Hasan Jashari, sociolog, fajëson politikën për tensionet në vend.

Sipas tij, gjendja mund të qetësohej sikur partitë, dhe në veçanti pushteti, të reagonin me kohë nga fyerjeve që zanafillën e kanë në ndeshjet sportive.

Mua më shqetëson veprimi i dobët dhe mund të them shumë destruktiv i elitës politike, të cilët nuk ditën që në kohë të parandalojnë këto gjëra. Dhe nëse vazhdon kështu, ka gjasa që gjërat të rrëshqasin prej dore dhe të arrijmë në një situatë anomie, siç e quan Emile Durkheim; dekompozim dhe mosorganizim i shoqërisë dhe fillojnë të këputen hallkat e mekanizmave”, thotë Hasani duke shtuar se shqiptarët në asnjë mënyrë nuk duhet të provokohen nga ngjarjet e këtilla por përkundrazi të dëshmojnë tolerancën e tyre ndërfetare.

Kjo sipas tij mund të ndërgjegjësojë edhe palën tjetër.

Toleranca fetare duhet të jetë pjesë përbërëse e filozofisë tonë jetësore. Shqiptarët në Shqipëri janë të njohur për tolerancën fetare dhe ajo duhet të jetë edhe një mësim që ne këtë ta praktikojmë si mënyrë të bashkëjetesës”, thotë Jashari.

Tensionet e fundit ndëretnike dhe ndërfetare në Maqedoni filluan në ndeshjet sportive ku shqiptarët u fyen në baza etnike për të vazhduar më pas me karnavalin e Vevçanit më 13 janar ku po ashtu pati fyerje ndaj fesë islame dhe Kuranit.

Situata e përshkallëzua më pas me vendosjen e zjarrit në një kishë të Llabuinishtës të Strugës dhe Reçicë të Tetovës.

Të gjitha këto incidente janë dënuar nga partitë politike, ndërsa komiteti për marrëdhënie ndëretnike miratoi disa konkluzione me të cilat kërkohet nga gjitha faktorët relevantë që të angazhohen për kthimin e mirëbesimit mes etniteteve.

Incidentet janë dënuar fuqishëm edhe nga komuniteti ndërkombëtar.
XS
SM
MD
LG