Ndërlidhjet

Krizat ekonomike globale në botë si dhe kriza aktuale ekonomike në eurozonë, sipas përfaqësuesve të institucioneve të Kosovës dhe organizatave ekonomike, nuk ka pasur ndikim të madh në ekonominë e Kosovës.

Arsyeja e mos ndikimit të krizës ekonomike të eurozonës në Kosovës, sipas tyre, është qasja e kufizuar e Kosovës në tregjet evropiane.

Gjatë një debati me temën ekspozimi i tregut financiar të Kosovës në tregjet evropiane, përfaqësues të institucioneve të Kosovës dhe organizatat ekonomike në vend, theksuan se kanalet përmes të cilave pritet të ndikohet Kosova nga kriza në eurozonë është rënia e mundshme e remitencave, rritja më e ngadalësuar e eksporteve dhe të hyra më të ulëta nga investimet e huaja diskete.

Ministri i Financave Bedri Hamza, thotë se kriza në eurozonë, e njohur si krizë e borxheve, nuk ka prekur Kosovën në masë të madhe për faktin se, siç thotë Hamza, Kosova e ka borxhin publik më të voglin në rajon dhe ajo është vetëm rreth 5.4 për qind e GDP-së.

Të dhënat aktuale dëshmojnë se Kosova në tërësi ka menaxhuar të mbetet e pandikuar nga kriza e cila preku tregjet financiare globale, dhe e cila është përcjellë me kriza ekonomike, kryesisht në vendet e zhvilluara gjatë vitit 2009, dhe se tani kjo që e ka kapluar vendet e eurozonës e që kryesisht lidhet me borxhin publik”, shprehet ai.

Hamza thekson se edhe përkundër tkurrjes ekonomike të parashikuar për vitin 2012, Kosova mbetet vendi me rritje më të lartë, krahasuar me vendet në rajon.

Kjo, sipas tij, është për shkak të investimeve të qeverisë në projekte kapitale.

Këto investime, thotë Hamza, pritet të zvogëlojnë dukshëm efektin e krizës ekonomike në eurozonë.

Në anën tjetër, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, thotë se është e tepërt të debatohet se Kosova nuk është e prekur nga kriza.

Kosova, siç thotë ai, çdo herë ka qenë në krizë ekonomike.

Jam i mendimit që një debat i tillë duhet të analizohet nga dy këndvështrime, në aspektin ekstrem dhe intern. Në aspektin ekstrem duhet të jemi të vetëdijshëm për të gjitha masat që kanë marrë qeveritë e shteteve e evropiane që për vitin 2012 të bëjnë një reduktim të investimeve kapitale dhe të kenë një monitorim më radikal, dhe si pasojë e një monitorimi të tillë, pa mëdyshje, do të ketë edhe rënie të rritjes ekonomike, dhe do të ketë mundësi më të vogla të importeve”, thekson Gërxhaliu.

Si element tjetër është ndikimi i sistemit bankar të Kosovës nga krizës ekonomike në eurozonë.

Drejtori i Qendrës për Hulumtime Strategjike Sociale, Ibrahim Rexhepi, thotë se sistemi bankar i Kosovës ka qenë i pandikuar nga krizat ekonomike në botë.

Ai thekson se bankat në Kosovë kanë vazhduar të jenë të qëndrueshme.

Pavarësisht zhvillimeve që kanë ndodhur nga viti 2008 - 2009 e këtej, nuk ka pasur ndonjë shqetësim në sistemin bankar, së paku kur ka rritje të depozitave apo kreditimi, që kanë shënuar rritje dhe që kanë ndikuar pozitivisht në afarizmin e bankave”, thekson ai.

Ndryshe, në raportin e fundit të Bankës Botërore të titulluar “Perspektiva Globale Ekonomike për vitin 2012”, ku përfshihet edhe Kosova, thuhet se për shkak të problemeve të borxheve në eurozonë, në Kosovë gjatë këtij viti do të ketë rënie të bruto prodhimit vendor në 3.9 për qind, nga 6.3 për qind sa ishte në vitin e kaluar.
  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG