Ndërlidhjet

logo-print
Shërbimi i noterisë, është shërbim juridik dhe publik, që ka për qëllim mbrojtjen e interesave të ligjshme të personave fizikë dhe juridikë, në pajtim me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.

Edhe pse jetësimi i këtij sistemi, sipas zyrtarëve të lartë qeveritarë, është dashur të fillojë më 1 janar të këtij viti, ai ende nuk ka hyrë në fuqi.

Ligjit për noterinë, i miratuar që në tetor të vitit 2008, parashikon hapjen e zyrave të noterëve, të cilët do të merren me të gjitha llojet e kontratave, testamenteve, vërtetimin e kopjeve të dokumenteve origjinale, vërtetimin e ekstrakteve të librave të tregtisë e biznesit, vërtetimin e nënshkrimit, vërtetimin e datës, konfirmimin e konkluzioneve të bëra nga organet e personit juridik, pranimin e deklaratave nën betim, ruajtjen dhe dorëzimin e dokumenteve, ruajtjen dhe dorëzimin e parasë së gatshme, gjërave me vlerë dhe letrave të çmuara, ruajtjen e dokumenteve origjinale, lëshimin e njoftimeve dhe kopjeve etj.

Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Enver Peci, vonesat e shkaktuara të fillimit të funksionimit të noterisë, i arsyeton me faktin se nuk janë specifikuar punët konkrete se çka duhet kryejnë noterët, e çka gjykatat.

Enver Peci

Enver Peci

“Janë bërë përgatitjet në koordinim edhe me Këshillin Gjyqësor të Kosovës, por kanë dalë disa probleme funksionale sa i përket noterisë në vend. Është dashur të specifikohen se cilat punë i takojnë noterisë dhe çka kanë kryer gjykatat deri tash. Por, numri aktual i noterëve që duhet të shpërndahen , nuk do të mund t’i plotësojë nevojat e qytetarëve”, thotë Enver Peci.

Ndërkaq, këshilltari ligjor i ministrit të Drejtësisë, Vigan Qorrolli, vonesën në funksionalizimin e sistemit të noterisë e quan si keqinterpretim medial. Ai shton se ky shërbim nuk është paraparë të fillojë më 1 janar të këtij viti.

“Ka ndodhur një keqkuptim medial, sepse unë përmenda afatet ligjore që i ka përcaktuar Ministria e Drejtësisë. Data 23 dhjetor 2011 ka qenë afati i aplikimit për 48 pozita noteriale. Nga 10 janari ka filluar të rrjedhë afati 45 ditor, sipas ligjit, ku do të intervistohen kandidatët. Kjo është e vërteta ligjore dhe faktike”, sqaron Qorrolli.

E kryesuesi i KGJK-së, Enver Peci, pohon se me informatat që posedon, ky shërbim do të fillojë në muajin prill, duke thënë se kjo ka qenë mjaft e mirëpritur për shkakun se vetëm Kosova, nga gjitha vendet e rajonit ka mbetur pa një shërbim të tillë për qytetarët.

“Problemet organizative dhe përcaktimi i kritereve saktë se çka do të kryejë noteria, e kanë shtyrë (procesin). Kjo ka qenë e mirëpritur se vetëm Kosova ka qenë prapa me këtë shërbim, dhe se grumbulli më i madh nëpër gjykata, ka qenë i qytetarëve, që në fakt ato punë është dashur t’i kryejë noteria. Unë besoj se në muajin prill do të fillojë të funksionojë noteria”, thekson Enver Peci.

Ndërkaq, qytetarët mendojnë se do të ishte i mirëseardhur shërbimi i noterisë.

Valdete Hoti, qytetare, thotë:

“Do të ishte shumë mirë të fillonte shërbimi i noterisë për shkak se do ta kishte lehtësuar shumë punën qytetarëve dhe gjykatave, për shkak se nuk dot kishin pasur nevojë njerëzit të presin aq gjatë për shërbime”.

Ndërsa një tjetër qytetar, Vigani, nga Prishtina, rreth të 30-ave, i cili ka edhe një shtetësi tjetër - atë të shtetit çek, thotë se dallimi mes Kosovës dhe vendeve evropiane, për kryerjen e këtyre shërbimeve është shumë i madh.
...për ta noterizuar një dokument në Kosovë së pari çmimi është jashtëzakonisht i lartë, deri në 50 euro, derisa në vendet evropiane kjo kushton 3 deri në 7 euro.

“Sa i përket noterisë në vendet evropiane, sipas përvojave të mia, funksionon krejt ndryshe nga Kosova. Për shembull, për ta noterizuar një dokument në Kosovë së pari çmimi është jashtëzakonisht i lartë, deri në 50 euro, derisa në vendet evropiane kjo kushton 3 deri në 7 euro. Në vendin ku unë jetoj kryhen në mënyrë private dhe për 5 minuta e ke të kryer një dokument. Këtu duhet të presësh shumë gjatë në rend, mandej nuk dinë të të këshillojnë dhe të të drejtojnë në zyrën e duhur - duhet të kalosh nëpër 3-4 zyra deri sa të arrish në vendin e duhur”, tregon Vigani.

Ndërkaq, Qorrolli bën të ditur se sipas parametrave ligjorë të përcaktuar nga Ministria e Drejtësisë, aktualisht komisioni përzgjedhës për zgjedhjen e noterëve të parë të Kosovës, ka filluar me punën e tij dhe komisioni tre-anëtarësh po e kryen punën e tij. Ai shton se 48 kandidatë që kanë aplikuar, së shpejti do të marrin rezultatin meritor.

“Komisioni po bën punën e tij, kandidatët do të ftohen për intervista ashtu siç e parasheh ligji dhe pas periudhës 45-ditëshe, konform afatit ligjor, komisioni do t’i rekomandojë ministrit të Drejtësisë se kush i plotëson kushtet për t’u bërë noteri i parë në Republikën e Kosovës”, shton Qorrolli.

Sidoqoftë, vonesa e implementimit të noterisë edhe për disa muaj do të lërë radhë të gjata të qytetarëve, të cilët presin për të vërtetuar një dokument apo për të dhënë një deklaratë në sportelet e pushtetit lokal. Kosova vazhdon të mbetet i vetmi vend në rajon pa noterë, ndërsa për punën e tyre stërngarkohen kryesisht administratat komunale.
  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG