Ndërlidhjet

Dhjetëra mijëra vetë protestojnë kundër Putinit

  • RFE /RL

Protestat në Rusi

Mijëra njerëz janë mbledhur në Moskë, ku temperaturat arrijnë edhe -20 gradë Celsius, për të kërkuar përfundimin e regjimit të kryeministrit të Rusisë, Vlladimir Putin, para zgjedhjeve presidenciale, që mbahen muajin e ardhshëm.

Policia moskovite ka raportuar se janë mbledhur afro 90 mijë njerëz.

Gjatë marshimit protestuesit brohorisnin “Rusia pa Putinin”.

Në Sheshin Bolotnaja të Moskës lideri opozitar, Ilja Jashin, e ka vënë në pikëpyetje legjitimitetin e zgjedhjeve presidenciale më 4 mars, në të cilat pritet që Vlladimir Putini të fitojë dhe të kthehet në presidencë edhe për mandatin e tretë.

“Ne nuk besojmë në korrektësinë e këtyre zgjedhjeve. Këto janë zgjedhje mashtruese, të falsifikuara dhe jolegjitime”, ka thënë Ilja Jashin.

Pjesëmarrësja tjetër në demonstratë, Svetllana, 22-vjeçare, eksperte për marketing në Internet, ka thënë se ajo i është bashkuar tubimit për shkak të frikës se Rusia po stagnonte nën sundimin 12-vjeçar të Putinit.

“Nuk dëshiroj që Putini të nbetet edhe një mandat tjetër. Dëshiroj që gjërat të ndryshojnë në vendin tonë, pasi kur një person është në post të lartë për një kohë të gjatë, vendi nuk shkon përpara dhe nuk ka progres. Dëshiroj progres, dëshiroj diçka më mirë”, është shprehur Svetllana.

Protestuesit janë tubuar pavarësisht temperaturës -20 gradë Celsius, që aktualisht po mbretëron në Moskë.

Tridhjetekatërvjeçari Aleksej, instruktor në një institut teatror, e ka pranuar se temperatura ishte sfidë e madhe.

“Është ftohtë. Unë aktualisht po ngrihem, por megjithatë ne duhet të marshojmë”, ka thënë Alekseji.

Nuk ka pasur arrestime nga ana e policisë në Moskë, megjithëqë autoritetet e qytetit e kanë sanksionuar demonstratën.

Në qytetet e tjera, tubimet e opozitës shpeshherë janë shpërndarë në mënyrë brutale nga policia, ndonëse një numër i vogël i demonstruesve në disa qytete të Lindjes së Largët ruse, në Vlladivostok, Kabarovsk dhe Juzhno-Sahalin, nuk ka pasur probleme me arrestime.

Tashmë protestuesit kanë kërkuar përsëritjen e zgjedhjeve parlamentare, reforma elektorale, dhe lirimin e atyre që ata i konsiderojnë si të burgosur politikë, siç është rasti i pasanikut, Mihail Kodorkovski.

Autoritetet nuk e kanë plotësuar asnjërën prej këtyre kërkesave, edhe pse kanë bërë lëshime të vogla për t’i qetësuar protestuesit, siç është premtimi për ripërtëritjen e zgjedhjeve për guvernatorë rajonalë, që aktualisht caktohen nga presidenti.

Nga ana tjetër, në pjesën perëndimore të Moskës, në Poklonaja Gora, janë tubuar demonstruesit, që e mbështesin Vlladimir Putinin.

Policia ka vlerësuar se në këtë tubim po marrin pjesë 23 mijë vetë.

Moderatori televiziv, Maksin Shevçenko, ka thënë në këtë tubim se Putini duhet ta vazhdoj zhvillimin e demokracisë.

“Ne dëshirojmë zhvillim demokratik. Putini duhet ta vazhdoj këtë zhvillim. Ky zhvillim duhet të vazhdojë nga secili që i fiton zgjedhjet tona, zgjedhjet korrekte, që nuk do të mbahen sipas instruksioneve nga prokurori amerikan, i dërguar këtu si kujdestar nga selitë e perandorisë së re”, ka thënë Shevçenko. (f. b.)

XS
SM
MD
LG