Ndërlidhjet

Fyle: KE-ja ndihmon planin për veriun

  • RFE /RL

Shtefan Fyle

Shtefan Fyle

Komisionari i Bashkimit Evropian për zgjerim, Shtefan Fyle, kërkoi që “Kosova ta ketë një plan për pjesën veriore të Kosovës”.

Në një kumtesë pas takimit të së premtes me presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga, në Munih të Gjermanisë, komisionari Fyle “theksoi nevojën për plan afatgjatë dhe gjithpërfshirës për Kosovën veriore dhe KE-ja është e gatshme të ndihmoj në mënyrë teknike dhe financiare këtë përpjekje”.

Ai, po ashtu, e inkurajoi Kosovën që të jetë e përkushtuar për dialogun me Serbinë dhe të jetë konstruktive dhe fleksibile në kërkimin për zgjidhje kompromisi për çështje të rëndësishme, siç është bashkëpunimi rajonal.

Fyle, nëpërmjet kumtesës së tij, theksoi se është tejet e rëndësishme që marrëveshjet e arritura me dialog, në tërësi të zbatohen dhe që t’i mbështesin të gjitha forcat politike në Kosovë.

Komisionari i BE-së për zgjerim, Shtefan Fyle, gjatë takimit me presidenten Jahjaga, përkujtoi se me vendimet e Këshillit të BE-së në muajin dhjetor, është paraparë forcim i theksuar i bashkëpunimit ndërmjet BE-së dhe Kosovës, me ç’rast do të duhej të fuqizoheshin edhe më shumë “synimet evropiane” të Kosovës.

Në këtë kuadër, ai tha se përgjegjësia për realizimin e perspektivës evropiane të Kosovës është para se gjithash “në anën e autoriteteve të Kosovës”.


* * *
Gjatë qëndrimit në Gjermani, presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka takuar komisionarin për zgjerim të Bashkimit Evropian, Shtefan Fyle.

Sipas njoftimit nga Presidenca, dy zyrtarët kanë diskutuar perspektivën evropiane të Kosovës, procesin e dialogut për liberalizimin e vizave, si dhe kërkesën e Kosovës për marrëdhënie kontraktuale me Bashkimin Evropian.

Presidentja Jahjaga thuhet të ketë folur edhe për veriun e Kosovës, duke deklaruar se “zgjidhja e gjendjes së krijuar në tri komunat atje qëndron në zbatimin e plotë të kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së Kosovës dhe Pakos së Ahtisaarit.

“Presidentja kërkoi që në këtë pjesë të Kosovës të organizohen sa më parë zgjedhjet lokale, të cilat do të mundësonin zgjedhjen e përfaqësuesve legalë dhe legjitimë, që do të përfaqësonin drejt interesat e qytetarëve serbë të Kosovës”, thuhet pos tjerash në kumtesën për media.

Takimi është mbajtur në kuadër të Konferencës së 48-të të Sigurisë në Mynih të Gjermanisë, që thuhet se është mbledhja më e madhe për çështje të politikave të sigurisë në Evropë.(f.b. & v.t.)

Trego komentet

XS
SM
MD
LG