Ndërlidhjet

logo-print

Egjipt: Vazhdojnë protestat kundër udhëheqjes ushtarake


Në Kajro kanë vazhduar protestat kundër udhëheqjes ushtarake në Egjipt.

Televizioni shtetëror ka raportuar se ndërtesa e Autoritetit tatimor ishte përfshirë nga zjarri, të cilin ia kanë vënë protestuesit, mbrëmë vonë.

Dhuna e fundit u përhap pas trazirave në ndeshjen e futbollit në Port Said, nga të cilat u vranë 74 vetë.

Protestuesit i kanë akuzuar forcat e sigurisë se kanë dështuar në ndaljen e gjakderdhjes.

Në katër ditët e fundit, në Kajro e kanë humbur jetën së paku 12 vetë.

Kjo ishte njëra nga javët më të përgjakshme në Egjipt, prej përmbysjes së Hosni Mubarakut nga posti i presidentit, para një viti.

Aktualisht Egjipti udhëhiqet nga një Këshill Ushtarak.

Në përpjekje për ndaljen e dhunës, një grup i ligjvënësve dhe personalitete të tjera publike, thanë se janë takuar me zyrtarët e ministrisë së brendshme të Egjiptit, për negociata për paqe.
XS
SM
MD
LG