Ndërlidhjet

Opozita shqiptare, e përçarë


Shkup- foto nga arkivi...

Shkup- foto nga arkivi...

Vendimi i Partisë Demokratike Shqiptare për të ndërprerë bashkëpunimin me partinë tjetër opozitare, Rilindjen Demokratike Kombëtare, dëmton jo dy subjektet politike, por edhe demokracinë në përgjithësi, pikërisht në kohën kur ka nevojë për një zë kritik ndaj devijimeve që mund të bëhen nga ana e pushtetit.

Kështu vlerësojnë analistët politikë, duke komentuar ndërprerjen e bashkëpunimit PDSH-RDK, për shkak të dallimeve që paraqiten lidhur me bashkëpunimin e ardhshëm me partinë maqedonase të opozitës, LSDM.
Nëse ndarja është definitive, gjithsesi është një moment, i cili, jo vetëm për opozitën, por për demokracinë në përgjithësi është moment i pavolitshëm...

“Nëse ndarja është definitive, gjithsesi është një moment, i cili, jo vetëm për opozitën, por për demokracinë në përgjithësi është moment i pavolitshëm, është momenti më i rëndë për ata që të jenë më të suksesshëm. Bashkëpunimi dhe unifikimi i opozitës vendos një balancë në skenën politike shqiptare dhe çdo balancë sigurisht që në formë plotësuese i motivon dhe subjektet politike që të jenë më të përgjegjshme dhe të dalin me programe më thelbësore dhe më të qarta për zgjedhësit”, thotë Albert Musliu, analist politik.

Në fakt, shkak për prishjen e bashkëpunimit është një takim që ka zhvilluar kryetari i RDK-së, Rufi Osmani, me një zyrtar të lartë të opozitës maqedonase, me të cilin thuhet se është biseduar për format e bashkëpunimit programor dhe çështje tjera.

Menduh Thaçi (Foto gjatë fushatës elektorale).

Menduh Thaçi (Foto gjatë fushatës elektorale).

Ndaj kësaj ka reaguar PDSH e Menduh Thaçit, duke thënë se partia e tij nuk mund të jetë pjesë e negociatave të tilla, pasi programi i saj nuk ka asnjë pikë të përbashkët me atë të cilësdo parti tjetër maqedonase.

Duke komentuar vështirësitë e këtilla në vendosjen e bashkëpunimit, analisti Jovan Donev thotë se partitë - qoftë ato të opozitës apo pozitës - nuk duhet apriori të refuzojnë mundësitë e bashkëpunimit, në qoftë se dëshirojnë ardhjen në pushtet. Ai vëren se bashkëpunimet e këtilla parapëlqehen edhe nga zgjedhësit, por janë liderët partiakë, thotë Donev, që ende veprojnë si në kohët e kaluara, që vetë të vendosin për gjithçka.
Kjo është si pasojë e mungesës së kulturës politike, është pasojë e mungesës së masës kritike.

“Kjo është si pasojë e mungesës së kulturës politike, është pasojë e mungesës së masës kritike. Një gjendje e këtillë është krijuar si pasojë e regjimit totalitar. Për fat të keq, ende kemi funksionarë të lartë, të cilët veprojnë sipas një logjike mentale të mbyllur. Funksionarët nuk e pranojnë psikologjinë e masës së gjerë, po janë të përqendruar vetëm në qëndrimet e kreut të partisë”, vlerëson Donev.

Pavarësisht refuzimit të PDSH-së, drejtuesit e partisë tjetër, RDK, janë shprehur të gatshëm për vazhdimin e bashkëpunimit që kishte nisur në dhjetorin e vitit të kaluar.

Analisti Albert Musliu nuk beson që me prononcimet e fundit janë mbyllur të gjitha mundësitë e bashkëpunimit. Por, ai thotë se në rast të rivendosjes së komunikimit, duhet të precizohen të gjitha detajet e bashkërendimit të aktiviteteve, që të mos përsëriten gjërat e këtilla.

“Gjithsesi edhe kur iniciohen bashkëpunime të këtilla, që në fillim duhet të sqarohet moduset e bashkëpunimit, pozitat, me qëllim që gjëra të këtilla të mos ndodhin”, thekson Musliu.
XS
SM
MD
LG