Ndërlidhjet

logo-print

WP: Paneta, Klinton: Vazhdojnë lidhjet me Evropën


Hillari Klinton & Leon Panetta

Hillari Klinton & Leon Panetta

"Washington Post"

Në një paraqitje të rrallë të përbashkët tejoqeanit, sekretari i Mbrojtjes, Leon Paneta, dhe sekretarja e Shtetit, Hillari Klinton, kanë synuar t’i sigurojnë sërish aleatët evropianë se Shtetet e Bashkuara nuk do t’i zvogëlojnë marrëdhënet e sigurisë me kontinentin, edhe pse po i tërheq trupat dhe po vendos prioritet më të lartë në Azi.

“Ne do ta mbajmë një prani të fuqishme në Evropë”, ka thënë të shtunën zoti Paneta, në Konferencën vjetore të sigurisë në Munih të Gjermanisë.

“Kjo nuk bëhet vetëm për shkak se paqja dhe prosperiteti i Evropës është i rëndësisë kritike për Shtetet e Bashkuara, por për shkak se Evropa mbetet partner i yni i sigurisë, partner i yni për zgjedhje për operacione ushtarake dhe diplomaci në mbarë botën”, ka theksuar Paneta.

Administrata Obama, muajin e kaluar, ka shpallur se do t’i eliminojë dy prej katër brigadave ushtarake luftarake, të vendosura në Evropë, pjesërisht për t’i arritur shkurtimet e reja buxhetore, por edhe për shkak të ripërtritjes së fokusit në Azi dhe duke e mbajtur praninë ushtarake në Lindjen e Mesme.

Paneta i ka përshkruar ndryshimet në Evropë si relativisht të vogla. Ushtria e Shteteve të Bashkuara i ka afro 80 mijë ushtarë të vendosur në kontinent, por ky numër do të zvogëlohet në 70 mijë.

Nga ana tjetër, sekretarja amerikane e Shtetit, Hillari Klinton, ka kërkuar nga evropianët ta mbajnë presionin diplomatik kundër presidentit të Sirisë, Bashar al-Asad, i cili ballafaqohet me një kryengritje të përgjakshme në rritje dhe paqartësi lidhur me atë se sa gjatë ai mund të mbetet në pushtet.

“Derisa tirani në Damask është brutal ndaj popullit të tij, Amerika dhe Evropa duhet të qëndrojnë krah për krahu”, ka thënë Klinton duke shtuar se “ne jemi të bashkuar, së bashku me Ligën Arabe, në kërkimin e përfundimit të gjakderdhjes dhe për një të ardhme demokratike për Sirinë”.

Hillari Klinton dhe Leon Paneta u kanë thënë liderëve evropianë, që marrin pjesë në konferencën e Munihut, se “ribalancimi” i politikës së sigurisë i administratës Obama, për fokusim në Azi, nuk do t’i zvogëlojë raportet në NATO ose marrëdhëniet transatlantike.

Megjithëqë zvogëlimi i trupave, i shpallur muajin e kaluar, është relativisht i vogël, disa evropianë pyeteshin nëse ata janë raundi i parë dhe nëse diçka më tepër është në përgatitje.

Adminsitrata Obama po i implementon shkurtimet në buxhet prej 487 miliardë dollarësh, për shpenzimet e projektuara mbrojtëse gjatë dekadës së ardhshme.

Por, reduktimet e mëtejshme mund të ndodhin. Sipas marrëveshjes për deficit, ndërmjet Shtëpisë së Bardhë dhe Kongresit, në gusht të vitit të kaluar, Pentagoni mund të detyrohet t’i ulë shpenzimet edhe për 500 miliardë dollarë, nëse ligjvënësit nuk pajtohen deri më 13 janar të vitit 2013, për një plan alternativ, për reduktim të deficitit të buxhetit federal.

Këtë mundësi, Paneta e ka vlerësuar si “formulë të krisur” dhe ka thënë se do ta “shkatërrojë mbrojtjen tonë kombëtare”.

Sipas tij, administrata Obama po e injoronte atë për shkak të vlerësimit se ligjvënësit do të pajtohen për një plan tjetër para vitit të ardhshëm. (f.b.)
XS
SM
MD
LG