Ndërlidhjet

Gjermania mbështet Kosovën

  • RFE /RL

Takimi Jahjaga - Vestervelle në Prishtinë, mbajtur gjatë vitit të kaluar.

Takimi Jahjaga - Vestervelle në Prishtinë, mbajtur gjatë vitit të kaluar.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, është takuar me ministrin e Jashtëm të Gjermanisë, Guido Vestervelle, me të cilin ka diskutuar për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, zhvillimet në tri komunat veriore të Kosovës, dhe për situatën e përgjithshme politike në vend, ka njoftuar Presidenca e Kosovës.

Në kumtesë theksohet se Jahjaga ka potencuar se institucionet e Kosovës e shohin dialogun teknik me Serbinë si mënyrën e vetme për të normalizuar marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve fqinje.

Ajo ka thënë, po ashtu, se përmes dialogut janë arritur një numër marrëveshjesh, që i adresojnë brengat e qytetarëve të të dy vendeve dhe ka kërkuar që ato të zbatohen në tërësi, duke respektuar praktikat më të mira evropiane.

Presidentja Jahjaga ka theksuar se “është me rëndësi që dialogu të vazhdojë duke respektuar përfaqësimin e Republikës së Kosovës, si shtet sovran dhe i pavarur, në të gjitha marrëveshjet e arritura”.

Ministri Vestervelle, sipas kumtesës së presidencës së Kosovës, ka shprehur përkrahjen e Gjermanisë për Kosovën, në konsolidimin e mëtejshëm të saj në skenën ndërkombëtare dhe ka inkurajuar bashkërendimin dhe bashkëpunimin e përfaqësuesve dhe liderëve të Kosovës me bashkësinë ndërkombëtare në avancimin e proceseve demokratike.

Takimi Vestervelle - Jahjaga është mbajtur në Gjermani, ku presidentja Jahjaga mori pjesë në mëngjesin e organizuar për gratë lidere, pjesëmarrëse në Konferencën e 48-të të Sigurisë në Munih.(z.g.)

Trego komentet

XS
SM
MD
LG