Ndërlidhjet

logo-print

Times: Gjashtëdhjetë vjet në fron




"Times"


Përvjetorët u ofrojnë njerëzve, kombeve dhe institucioneve një mundësi për të reflektuar veten e tyre, qëllimet dhe arritjet.

Jubileu mbretëror, ashtu siç nënkuptohet edhe nga emri, është shans për festën e mbretërimit të një monarku.

Është Mbretëresha Elizabeta II ajo dhe kombi britanik që të hënën shënuan 60-vjetorin e ardhjes së saj në fron.

Vetëm një monark në historinë mbi njëmijëvjeçare angleze ka mbretëruar më gjatë.

Për shumicën e njerëzve të gjallë, nuk ka pasur shef tjetër shteti që nga 6 shkurti i vitit 1952.

Shënimi i Jubileut të Diamanttë, që do të përcillet me festa përgjatë muajve të ardhshëm, do të jetë i thjeshtë.

Kjo për shkak të rrethanave të ardhjes së Mbretëreshës në fron, që kanë qenë sa të papritura, aq dhe tragjike.

Elizabeta ishte nisur për në Kenia, së bashku me princin Filip, për të vizituar njërën nga kolonitë e atëhershme afrikane të Britanisë.

Babai i kishte dhënë lamtumirën në aeroport. Ajo ishte dita e fundit kur Elizabeta dhe kombi do ta shihnin Mbretin. Pak ditë më vonë, ai ndërroi jetë.

Mbretëresha Elizabetë u kthye në Londër e ngrysur, e trishtuar, por e përkushtuar ndaj detyrave që do të merrte.

Andaj, ajo e shënon këtë përvjetor në heshtje dhe kështu do të bëjë edhe këtë vit.

Të dielën, pavarësisht reshjeve të borës, Mbretëresha mori pjesë në një shërbim kishtar në Sandringhem.

Të hënë, ajo përmbush diçka tjetër - përkushtimin për detyrën e saj që ka mbetur e pandryshuar, përderisa pamja e Britanisë, klima sociale, fatet dhe vetë njerëzit kanë ndryshuar tërësisht.

Ashtu si shumica e monarkëve, edhe Mbretëresha Elizabetë ka parë rritje dhe rënie të popullaritetit.

Ndryshimet e zakoneve sociale kanë vënë në dyshim e nganjëherë edhe kanë refuzuar institucionin e monarkisë.

Por, Mbretëresha ka ruajtur qetësinë e saj në këto peripeci, me dinjitet dhe autoritet.

Tani, në moshën 85-vjeçare, ajo është në pikën kur qëndrimi i saj personal dhe popullariteti janë në nivele shumë të larta.

Ka një ndjesi në gjithë vendin, në mesin e njerëzve të të gjitha moshave, të të gjitha besimeve dhe grupeve etnike, se Mbretëresha i ka shërbyer mirë vendit.

Dhe, përderisa ajo nis vitin e 61-të të mbretërimit të saj, pritjet janë që ky jubile të festohet me një bollëk, të paparë në Britani për më shumë se një shekull.

Ngjarje të panumërta, përfshirë festat në rrugë, parakalimet e kalorësve, ndriçimin e fenerëve, pritet të ndodhin. Të gjitha janë shprehje e mirënjohjes nga ana e kombit.

Një ditë e shurdhër si kjo 6 shkurtit nuk është e duhur për t’i përmbledhur arritjet e Mbretëreshës, por është ajo të cilën Mbretëresha e ka zgjedhur për t’i falënderuar të gjithë që e kanë mbështetur atë, familjen e saj dhe mirëqenien e kombit të saj.(v.t.)
XS
SM
MD
LG