Ndërlidhjet

Klinton: Vetoja në OKB – “absurd”


Hillari Klinton
Hillari Klinton
Burime të opozitës në Siri thonë se nga bombardimet e forcave qeveritare, mbrëmë në qytetin kryesor të kryengritjes, Homs, ka pasur dhjetëra të vrarë.

Nga ana tjetër qeveria i ka përgënjeshtruar raportet se e ka sulmuar Homsin, duke thënë se në dhunë kanë dorë “bandat e armatosura terroriste”.

Siria vazhdon të mbetet në qendër të fokusimit ndërkombëtar, pasi Rusia dhe Kina i kanë vënë veto propozim rezolutës së Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për Sirinë.

Sekretarja amerikane e shtetit, Hillari Klinton, e ka përshkruar si “absurde” veton e Rusisë dhe të Kinës në rezolutën e OKB-së, që e dënon goditjen e Sirisë kundër protestuesve anti-qeveri.

Duke folur gjatë qëndrimit të saj në Bullgari, zonja Klinton tha se përpjekjet jashtë OKB-së për ta ndihmuar popullin e Sirisë duhet të dyfishohen.

Sipas saj, Shtetet e Bashkuara, do të punojnë me “miqtë e Sirisë demokratike” për t’i mbështetur kundërshtarët e presidentit të Sirisë.

Njëherësh, ushtarët kryengritës thanë se tash e vetmja mënyrë për ta përmbysur presidentin Bashar al-Asad, është forca.

Regjimi në Damask është shprehur i përkushtuar për vazhdimin e goditjes ushtarake.

Nga ana tjetër, Rusia sërish iu referua propozim-rezolutës së OKB-së, duke thënë se ishte shkruar nga fuqitë perëndimore.

Në fakt, ajo ishte përpiluar nga vendet e Ligës Arabe dhe ishte dërguar në Këshillin e Sigurimit nga Maroku, me mbështetje perëndimore, pasi vëzhguesit e Ligës Arabe në Siri, kishin dëshmuar se snajperistët e armatës siriane i kishin vrarë protestuesit e pa-armatosur kundër qeverisë.

Sekretari i përgjithshëm i Ligës Arabe, Nabil Elarabi, tha se shtetet arabe nuk do të ndalen në përpjekjet për ta zgjidhur krizën në Siri.

Opozita siriane ka bërë thirrje për mbështetje ndërkombëtare. Por, luftëtarët e rrethuar në qytetin Homs thanë se votimi në OKB tregon se e vetmja mënyrë që ata ta mbrojnë vetveten është lufta civile e shkallës së plotë.

Në Konferencën ndërkombëtare të sigurisë në Munih, fituesja e Çmimit Nobel për Paqe, Tavakul Karman, nga Jemeni, e shpalli “dënimin komplet” të regjimit të Asadit.

Ajo i ka ftuar të gjitha vendet arabe që menjëherë t’i dëbojnë diplomatët sirianë, për ta treguar kundërshtimin e tyre ndaj goditjes së vazhdueshme të regjimit kundër aktivistëve për demokraci.

Tunizia, e cila në shenjë proteste i ka ndërprerë lidhjet diplomatike me Damaskun, u ka bërë ftesë qeverive arabe në mbarë botën, për ta ndjekur shembullin e saj.

Kryeministri i Tunizisë, Hamadi Xhebali, duke folur në Konferencën e sigurisë në Munih, tha:

Para se gjithash dëshiroj ta shqyrtoj çështjen e popullit të Sirisë, çështjen e revolucionit sirian. Duhet të ketë qëndrim të ashpër dhe të fuqishëm. Jam krenar të them se ashtu siç bëri Tunizia, ne duhet t’i dëbojmë ambasadorët sirianë nga vendet arabe dhe nga vendet e tjera. Populli i Sirisë nuk pret nga ne deklarata të gjata dhe dënime. Ata presin masa konkrete”, tha Hamadi Xhebali.

Lideri islamist i Vëllazërisë Myslimane në Jordani, Hamam Said, u ka bërë ftesë myslimanëve dhe arabëve në mbarë botën, që t’i bojkotojnë mallrat ruse dhe kineze.

Veton ruse dhe kineze në OKB ai e ka përshkruar si sulm “kundër të gjithë arabëve dhe myslimanëve”, duke e akuzuar Moskën dhe Pekinin se “po marrin pjesë në vrasjen e popullit të Sirisë”. (f. b.)

Bombardimet në Homs
Ju lutem prisni
Embed

No media source currently available

0:00 0:00:24 0:00
XS
SM
MD
LG