Ndërlidhjet

Pas deklaratave të kryeministrit të Maqedonisë Nikolla Gruevski, se pas incidenteve ndëretnike qëndrojnë aktivistë të motivuar nga opozita, partia më e madhe maqedonase në opozitë LSDM, ka thënë se nuk është asgjë e re që pushteti fajin për gjithçka që ndodh në Maqedoni ta hedhë tek opozita.

Nënkryetari i kësaj partie, Zoran Zaev, vlerëson se qasja e tillë e qeverisë ndaj problemeve serioze me të cilat përballet vendi, mund të ketë kosto shumë të lartë për të ardhmen e Maqedonisë.

Gjithmonë për çështjet për të cilat është përgjegjës që t’i zgjidhë kryeministri Nikolla Gruevski dhe qeveria të cilën ai udhëheqë, ai kërkon që faji të spostohet te LSDM-ja. Është koha e fundit që zgjidhjes së problemeve serioze me të cilat përballet vendi, siç është bllokimi i procesit të integrimit, tensionet ndëretnike dhe gjenda e rëndë ekonomike, t’u rreket me seriozitet, ashtu siç është i obliguar të gjejë zgjidhje si kryeministër i vendit. Deklarimet e këtilla, se fajtorë për incidente janë aktivistë të opozitës, nuk i sjellin asgjë të mirë vendit”, tha Zaev.

Edhe PDSH-ja, në opozitë, e fton kryeministrin se nëse ka indikacione se kush janë fajtorët që nxitën konfliktet ndëretnike dhe ato fetare duke anashkaluar deklarimet populiste, sa më parë fajtorët t’i nxjerrë para organeve të drejtësisë.

Ndërkohë, policia thotë se pritet të verifikohen faktet dhe se ende nuk ka informacione konkrete se kush saktësisht qëndron pas incidenteve.

Kemi disa informata, por të gjitha këto janë në fazë të verifikimit. Ajo që mund të them me saktësi është se angazhohemi që t’i gjejmë fajtorët të cilësdo qoftë parti që i takojnë ata”, tha për Radion Evropa e Lirë Stefan Dimovski, nga stacioni policor i Ohrit.

Ndërkohë që komiteti parlamentar për marrëdhënie mes etnive, si dhe krerët e bashkësive fetare në Maqedoni, kanë bërë thirrje për uljen e gjakrave dhe përfshirjen e sektorit civil në zgjidhjen e konflikteve ndëretnike.

Tifozët shqiptarë dhe ata maqedonas, edhe përkundër takimeve, nuk gjejnë gjuhë të përbashkët për t’u dhënë fund ofendimeve gjatë ndeshjeve sportive.

Omer Bunjaku, drejtues i grupit të tifozëve shqiptarë, thotë se edhe përkundër takimit të realizuar me kreun e tifozëve maqedonas, nuk iu përmbajtën marrëveshjeve për të shmangur ofendimet dhe fyerjet në baza etnike.

Ne bëjmë tifo për Shkupin. Asnjëherë nuk kemi filluar të parët, por ata i kanë thyer parimet për të cilat kishim rënë në ujdi gjatë takimit. Kur ata fillojnë të ofendojnë, ne ua kthejmë”, theksoi Bunjaku.

Ai shtoi se zhvillimet e fundit kanë bërë që asnjë shqiptar mos bëjë tifo për kombëtaren e Maqedonisë, edhe nëse në të përfshihet ndonjë lojtar shqiptar.

Nga ana tjetër, kolegu i tij maqedonas, Toni Spirkovski, u shpreh se në të gjitha vendet e botës tifo bëhet për të stimuluar ekipin e preferuar.

Sipas tij, vulgariteti verbal është i tolerueshëm, po edhe ai pranoi se fyerjet në baza etnike paraqesin problem në shtetet multietnike, siç është Maqedonia.

Është e kuptueshme se shqiptarët e Maqedonisë nuk dëshirojnë të bëjnë tifo për kombëtaren e Maqedonisë, e as maqedonasit e Shqipërisë për kombëtaren shqiptare. Kështu është edhe ne Suedi, edhe ne Norvegji dhe gjetiu. Por, rëndësi ka që fyerjet mos të bëhen në baza etnike, edhe pse në një stadium vështirë është të përmbahen emocionet”, theksoi Spirkovski.
XS
SM
MD
LG