Ndërlidhjet

Shans për të dyja palët



Në mbledhjen e radhës të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, e cila do të mbahet më 8 shkurt, do të marrë pjesë ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, kanë konfirmuar zyrtarët e kësaj ministrie.

Sipas tyre, ministri Hoxhaj, do të shpalosë para anëtarëve të këtij këshilli të arriturat e qeverisë dhe popullit të Kosovës, në reformimin dhe konsolidimin e shtetësisë, si dhe arritjet e përgjithshme.

Në këtë mbledhje, do të prezantohet dhe diskutohet raporti për Kosovën i sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-Mun.

Artan Behrami, këshilltar politik në Ministrinë e Punëve të Jashtme, për Radion Evropa e Lirë thotë se një nga pikat e veçanta në fjalimin, të cilin ministri i jashtëm Hoxhaj pritet ta mbajë në Këshillin e Sigurimit, do t’i kushtohet gjendjes së sigurisë në komunat e veriut të Kosovës.

Edhe në këtë seancë, ministri Enver Hoxhaj do ta ritheksojë domosdoshmërinë për largimin përfundimtar të strukturave kriminale dhe paramilitare nga veriu...
Edhe në këtë seancë, ministri Enver Hoxhaj do ta ritheksojë domosdoshmërinë për largimin përfundimtar të strukturave kriminale dhe paramilitare nga veriu, si parakusht për paqe, siguri dhe stabilitet në Ballkan".

"Një pikë, që po ashtu do ta përmbajë fjalimi i ministrit të Punëve të Jashtme, ka të bëjë me perspektivën evropiane të Kosovës. Ministri, po ashtu, do ta shtrojë nevojën edhe të nënshkrimit të marrëveshjes për stabilizim dhe asocim me Bashkimin Evropian, si kornizë afatgjate për anëtarësimin e Kosovës në Bashkimin Evropian
”, shprehet Behrami.

Ai shton se lidhur me këto tri pika, të cilat do t’i parashtrojë ministri i jashtëm Hoxhaj në Këshillin e Sigurimit, Kosova pret mbështetjen e vendeve të fuqishme dhe mike, siç janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pjesa më e madhe e shteteve të Bashkimit Evropian, shteteve që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, por edhe të atyre që nuk e kanë njohur deri më tash.

Ndërkaq, njohësit e rrethanave ndërkombëtare, nuk presin ndonjë rezultat, siç e quajnë ata “spektakular”, në mbledhjen e radhës të Këshillit të Sigurimit.

Afrim Hoti, profesor i të Drejtës Ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, vlerëson se në mbledhje, Kosova dhe Serbia do t’i ballafaqojnë argumentet e tyre, por nuk pret ndryshime të pozicioneve, të cilat tashmë dihen, të shteteve anëtare të Këshillit të Sigurimit, karshi pavarësisë së Kosovës.

Ky do të jetë një shans për të dyja palët. Serbia, normalisht, do ta prezantojë Kosovën dhe zhvillimet në Kosovë si një proces mjaft të komplikuar dhe i cili po merr përkeqësime të mëtejme".

"Ndërkohë që takimi i Këshillit të Sigurimit duhet të shfrytëzohet, ose është një shans për autoritetet e Kosovës, që të prezantojnë të arriturat e tyre për periudhën për të cilën raportojnë dhe në të njëjtën kohë, të lobojnë dhe të punojnë me të madhe që eventualisht të relaksojnë ose të provojnë që t’i relaksojnë raportet me anëtarët e Këshillit të Sigurimit që nuk e kanë njohur deri më tash pavarësinë e Kosovës
”.

Ndryshe, pjesë e raportit për Kosovën, të cilin do ta prezantojë sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Mun, në mbledhjen e radhës të Këshillit të Sigurimit, do të jetë edhe krijimi i task forcës speciale, lidhur me akuzat që kanë dalë nga raporti i përfaqësuesit të Këshillit të Evropës, Dik Marti.

Kjo çështje, sipas Hotit, do të përdoret si argument nga Serbia, siç thotë ai, për të tentuar që ta baltos imazhin e Kosovës.

Serbia këtë ‘argument’ do ta shfrytëzojë në masë të madhe, për t’i bindur vendet tjera, që janë pezull në marrjen e vendimeve për njohje, që një gjë e tillë të mos e bëjnë...
Mendoj se Serbia do ta përdorë këtë ‘argument’, sepse janë kohë jashtëzakonisht të ndjeshme të zhvillimit të negociatave teknike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Serbia këtë ‘argument’ do ta shfrytëzojë në masë të madhe, për t’i bindur vendet tjera, që janë pezull në marrjen e vendimeve për njohje, që një gjë e tillë të mos e bëjnë, të paktën për një të ardhme të afërt".

"Kjo sepse ‘Kosova qenka një vend ku duhet të zhvillohen hetimet; Kosova qenka një vend, i cili nuk është pastruar tërësisht nga akuza të tilla e të ngjashme’. Sido që të jetë, mendoj se nuk do të ballafaqohemi me ndonjë konsekuencë negative për Kosovën, përveç atyre që kanë krejtësisht natyrë politike”, thotë Hoti.

Ai thekson se megjithatë, mbledhja e Këshillit të Sigurimit është edhe një rast më shumë, të cilin autoritetet e Kosovës, të koordinuara me vendet mike, anëtare të Këshillit të Sigurimit, duhet ta shfrytëzojnë që të lobojnë për të marrë ndonjë njohje eventuale nga vendet që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.
XS
SM
MD
LG