Ndërlidhjet

Moska ndërmjetëson krizën në Siri

  • RFE /RL

Siri...

Siri...


Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, po qëndron në Siri, në përpjekje për të ndërmjetësuar krizën atje. Ai ka zhvilluar bisedime të drejtpërdrejta me presidentin sirian, Bashar al-Asad, i cili, që 11 muaj, përballet me kryengritje kundër regjimit të tij.

Lavrov mësohet t’i ketë thënë Asadit se është në interesin e “vendeve arabe” që të “jetojnë në paqe dhe harmoni”, duke shtuar se secili lider duhet ta pranojë “pjesën e tij të përgjegjësisë”.

Misioni diplomatik i Moskës vjen disa ditë pasi Rusia, së bashku me Kinën, i vunë veto rezolutës së Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, e cila mbështeste planin e Ligës Arabe për largimin e Asadit.

Sipas Lavrovit, kalimi i rezolutës do të mund të nënkuptonte se OKB-ja mban anë të caktuar në konflikt. Ai po ashtu tha se kritikat ndërkombëtare për veton ruse kanë kaluar në histeri.

Ata po bëjnë përpjekje që, me ndihmën e deklaratave të tilla histerike, të fshehin të vërtetën e asaj që po ndodh. E vërteta është se në Siri ka më shumë se një burim të dhunës, janë disa”, tha Lavrov.

Ai i ka bërë këto komente në Bahrejn - në njërin nga shtetet arabe që kërkon qëndrim më të ashpër ndaj Asadit.

Lavrov tha se Rusia favorizon një dialog paqësor brenda Sirisë, pa ndërhyrje nga jashtë.

Diplomati i lartë rus i ka dhënë këtë mesazh edhe kreut të Ligës Arabe, Nabil Elarabi, përmes bisedës telefonike.

Në Uashington, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barak Obama, ka thënë se Perëndimi mbetet i angazhuar për fundin e krizës në Siri.

Vendet e Perëndimit po përpiqen të dalin me një strategji të re pas dështimit në OKB, duke shqyrtuar mundësinë e krijimit të një grupi të kontaktit për Sirinë, ngjashëm siç ishte bërë në rastin e Libisë.

Në Pekin, mediat shtetërore thonë se ndërhyrja e Perëndimit në Libi, Afganistan dhe Irak ilustron “gabimin e ndryshimit me forcë të regjimeve”.

Në mesin e shqetësimeve në rritje për situatën e sigurisë, Shtetet e Bashkuara kanë mbyllur ambasadën e tyre në Damask dhe kanë evakuuar gjithë stafin. Zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Viktoria Nullënd, shpjegoi:

Shqetësimi ynë është se situata në dhe përreth Damaskut po bëhet gjithnjë e më e dhunshme, duke reflektuar faktin se regjimi po humb gjithnjë e më shumë kontrollin e situatës”.

Edhe Britania ka bërë të ditur se ka tërhequr ambasadorin e saj nga Siria.

Sidoqoftë, zëdhënësja e ambasadës siriane në Uashington, Roua Shurbaji, tha se Damasku po ruan situatën e sigurisë përreth ambasadave.

Mund të them se nuk kemi kursyer asnjë përpjekje për të ofruar mbrojtjen dhe sigurinë për të gjitha mjediset diplomatike dhe personelin e tyre në Damask”, tha Shurbaji.

Luftimet në qytetet siriane kanë vazhduar edhe sot. Këshilli Kombëtar i Sirisë tha se vetoja ruse dhe kineze në Kombet e Bashkuara i ka dhënë Asadit “licencën për të vrarë”. (v.t.)

XS
SM
MD
LG