Ndërlidhjet

Kosovë: Filloi takimi i parë i Dialogut për Stabilizim - Asocim


Në Prishtinë sot ka filluar takimi i parë i Dialogut të Stabilizim – Asocimit (DSA), për këtë vit, ndërsa temat kryesore do të jenë lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, përforcimi i kapaciteteve për ri-integrim, përmirësimi i regjistrave civil, siguria e dokumenteve dhe mbrojtja e të drejtave të njeriut dhe minoriteteve.

Mnëtutje, siç njoftoi Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, takimi do të zgjasë deri më 9 shkurt.

Samuel Zhbogar, përfaqësues special i posaemëruar i BE-së dhe udhëheqës i zyrës së BE-së në Kosovë, tha se “sundimi i ligjit dhe mbrojtja e të drejtave elementare të njeriut, janë të rëndësishme, jo vetëm për Dialogun e Stabilizim - Asocimit, por edhe për dialogun e liberalizimit të vizave, i cili ka filluar kiohët e fundit”.

Sipas tij, “si dhe kur ky proces do të çoj në lëvizjen e lirë pa viza, do të varet nga puna e autoriteteve dhe e shoqërisë kosovare si tërësi”.

Ministrja e Integrimeve Evropiane e Kosovës, Vlora Çitaku, është shprehur se aspektet e integrimit evropian, që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut, janë treguar si më të vështirat për implementim në këtë proces, jo vetëm në Kosovë, por edhe në gjithë rajonin.

Për këtë arsye ajo tha se pret që “ky takim të ndihmoj në identifikimin e çështjeve ku paraqiten vështirësi më të theksuara, me qëllim të identifikimit të zgjidhjeve të qëndrueshme për progres të mëtejmë në procesin e integrimit evropian të Kosovës”.

Takimi i dialogut për Stabilizim – Asocim, konkludimet e së cilit do të përfshihen në Raportin e ardhshëm të progresit, po organizohet së bashku nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe nga Ministria e Integrimeve Evropiane e Kosovës.
XS
SM
MD
LG