Ndërlidhjet

Fitoret e kandidatit Santorum

  • RFE /RL

Rik Santorum

Rik Santorum


Në Shtetet e Bashkuara të martën në mbrëmje vonë, janë mbajtur votimet në tri shtete për nominim republikan për përcaktimin e kandidatit për zgjedhje presidenciale në muajin nëntor, kundër Barak Obamës.

Fitues i plotë në votime doli ish senatori nga Pensilvania, Rik Santorum, i cili në këtë mënyrë e ka ngadalësuar avancimin e deritashëm të kandidatit tjetër, Mit Romni, ish guvernator i Masaçusetsit.

Në garë janë edhe ish kryesuesi i Dhomës Përfaqësuese të Kongresit Amerikan, Njut Gingriç, dhe kongresmeni, Ron Pol.

Ish senatori Rik Santorum, ka fituar në votimet në Kolorado, Minesota dhe Misuri, në garën për nominim të Partisë Republikane, për t’u ballafaquar me presidentin Barak Obama, në zgjedhjet presidencial në muajin nëntor të këtij viti.

Fitoret e konservatorit social, Santorum, e kanë ngadalësuar ritmin e favoritit të deritashëm, Mit Romni, i cili më herët ka fituar në Nevada, Florida dhe Nju Hempshir.

Duke folur para mbështetësve të tij në Sent Çarls të Minesotës, zoti Santorum e ka portretizuar vetveten si kandidati më i mirë republikan për ta kundërshtuar Obamën në zgjedhjet presidenciale.

Shpresoj se ju e keni dëgjuar mesazhin tonë, pasi nëse ju e keni dëgjuar mesazhin, e keni parë se në disa çështje, kujdesi shëndetësor, ambienti, tregtia dhe pakot e Wall Street-it, Mit Romni i ka pozitat e njejta si Barak Obama, dhe në fakt, ai nuk do të jetë personi më i mirë për të fituar dhe për të luftuar për zërin tuaj për liri në Amerikë”, tha Rik Santorum.

Mit Romni, ish guvernator i Masaçusetsit, që gjatë përpjekjes së tij për nominim presidencial republikan në vitin 2008, kishte fituar në Kolorado dhe Minesota, i ka uruar fitoren zotit Santorum, dhe ka theksuar se gara nuk ka përfunduar.

Kjo ishte natë e mirë për Rik Santorum. Dëshiroj t'i uroj senatorit Santorum, i uroj të gjitha të mirat. Ne do ta vazhdojmë fushatën dhe shpresoj se do të bëhem i nominuari me ndihmën e juaj”, tha para mbështetësve të tij në Denver të Kolorados, Mit Romni.

Romni mbetet kandidati që mbështetet nga pjesa më e madhe e Partisë Republikane, ndërsa fushata e tij konsiderohet si e organizuar më së miri dhe e financuar po aq mirë.

Ish kryesuesi i Dhomës Përfaqësuese në Kongresin e Shteteve të Bashkuara, Njut Gingriç, i cili sikur edhe zoti Santorum, ka synuar ta pozicionoj vetveten si alternativë konservatore ndaj Obamës, u plasua i katërti në Minesota, i treti në Kolorado dhe nuk mori pjesë në votimet në Misuri.

Deri tash, Gingriç ka fituar vetëm në Karolinën Jugore.

Kandidati tjetër, kongresmeni nga Teksasi, Ron Pol, ishte i dyti në Minesota, i katërti në Kolorado, dhe i treti në Misuri.

Fitoret e zotit Santorum i sjellin atij 28 delegatë në Konventën Nominuese të Partisë Republikane, dhe aktualisht e klasifikojnë në vendin e dytë, pas Romnit, dhe para Gingriçit.

Votimet e ardhshme madhore mbahen në Arizona dhe Miçigen më 28 shkurt.

Më 6 mars, në të ashtuquajturën Super të Martë, votohet në 10 shtete dhe ndahen 416 delegatë. (f. b.)


Fjalimi i Santorumit pas fitores:
XS
SM
MD
LG