Ndërlidhjet

logo-print

Moska inkurajon dialogun në Siri


Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, ka mohuar të thotë nëse Moska mendon t’i bëjë presion presidentit sirian, Bashar al-Asad, që të japë dorëheqje.

Lavrov, i cili ka takuar Asadin të martën në Damask, tha se presidenti i Sirisë është i gatshëm për dialog me forcat opozitare. Ai tha se rezultatet e një dialogu të tillë nuk duhet të përcaktohen nga bashkësia ndërkombëtare.

“Çdo rezultat i dialogut kombëtar duhet të jetë rezultat i marrëveshjes në mes të vetë sirianëve dhe i pranuar nga të gjithë sirianët”, ka thënë Lavrov.

Ai po ashtu ka inkurajuar ata që kanë ndikim te opozita siriane, t’i bindin kundërshtarët për bisedime me qeverinë.

Gatishmëria e udhëheqësit sirian për dialog është një faktor i rëndësishëm që duhet të merret në konsideratë, ka thënë Lavrov për mediat ruse.

Lavrov ka qëndruar dje në Damask, ku ka zhvilluar bisedime të drejtpërdrejta me Asadin.

Ditë më parë, Moska dhe Pekini i kanë vënë veto rezolutës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së, e cila parashihte largimin nga pushtetit të liderit të Sirisë.

Shteti sirian ka hyrë në muajin e 11-të të protestave që bëjnë thirrje për rrëzimin e regjimit.

Që nga marsi i vitit të kaluar, mijëra persona kanë humbur jetën në trazira.
XS
SM
MD
LG