Ndërlidhjet

Lobime për marrjen e ftesës në samitin e Çikago-s


Pamje nga Shkupi...

Pamje nga Shkupi...

Drejtuesit e institucioneve të Maqedonisë kanë shtuar optimizmin se Maqedonia do të përfshihet në agjendën e samitit të NATO-së në Çikago, edhe pa zgjidhur kontesti rreth emrit me Greqinë.

Në këtë drejtim, ministri i mbrojtjes dhe ai i punëve të jashtme, por edhe anëtarë tjerë të kabinetit qeveritar, përfshirë kryeministrin e Maqedonisë Nikolla Grueski, po zhvillojnë aktivitete të ndryshme lobuese për marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO me referencën Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë (IRJM).

Ministri i Mbrojtjes, Fatmir Besimi, së fundi, mbështetje ka kërkuar nga SHBA-të, ku ishte për vizitë zyrtare, ndërsa paraprakisht këtë e bëri edhe në qendrat e rëndësishme evropiane.

Vendimi i cili do të dalë nga Çikago mund të jetë vetëm një impuls shtesë në rrugën të cilën ne e bëjmë për këtë mision.
Detyra e jonë është të japim maksimumin, të besojmë në proceset apo integrimet euro-atlantike si alternativë më e mirë e Maqedonisë dhe rajonit dhe të punojmë në këtë drejtim. Vendimi i cili do të dalë nga Çikago mund të jetë vetëm një impuls shtesë në rrugën të cilën ne e bëjmë për këtë mision”, u shpreh Besimi.

Drejtuesit e institucioneve thonë se NATO-ja duhet të marrë në konsideratë edhe vendimin e fundit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila gjykoi në favor të Maqedonisë dhe marrëveshjes së përkohshme me Greqinë, me të cilën ajo obligohet që të mos e pengojë anëtarësimin në NATO dhe BE, me referencën IRJM.

Por, sipas ish diplomatëve, ky vendim nuk është obligues për NATO-në, e cila, të gjitha vendimet i miraton me konsensus të plotë.

Andaj, sipas tyre, pritjet për ndonjë rezultat pozitiv në samitin e Çikagos, janë joreale.

Ish ambasadori i Maqedonisë në NATO, Nano Ruzhin, thotë se rendin e ditës të samiteve e miraton këshilli euroatlantik që e përbëjnë shefat e diplomacive të shteteve anëtare të Aleancës.

Ai thotë se rendi i ditës mund të ndryshohet dhe plotësohet me ndonjë pikë tjetër nëse në ndërkohë ka ndodhur diçka serioze që ka të bëjë me NATO-n, kurse për iniciativa tjera, qoftë edhe për pranimin e ndonjë shteti, mendon se procedurat janë më të ndërlikuara dhe rrallë herë të realizueshme.

Ekziston mundësia që me iniciativë të ndonjë personaliteti të lartë, të ndonjë shteti të fuqishëm, siç është edhe presidenti Barak Obama, të propozonte që Maqedonia të pranohet me referencën IRJM. Por, në samitet e deritanishme nuk ka ndodhur që të ketë diçka të tillë”, thotë Ruzhin.

Sipas tij, optimizmi është anë e mirë e diplomacisë, por të gjithë duhet ta kemi të qartë, se rruga e Maqedonisë për në NATO, kalon përmes Athinës.

Profesori universitar, Nikolla Dujoski, arsyeton optimizmin e diplomacisë maqedonase, se vendi mund të marrë ftesë për anëtarësim në samitin e Çikagos.

Ai vlerëson gjithashtu aktivitetet lobuese të qeverisë, por edhe nuk pret ndonjë zhvillim spektakular në samitin e ardhshëm të NATO-së, për shkak të pozicioneve të forta të Greqisë, e cila, përkundër problemeve me të cilat përballet, vazhdon të ketë mbështetjen e qendrave të fuqishme ndërkombëtare.

Është mirë që të ketë optimizëm, por personalisht vlerësoj se Maqedonia në këtë samit do të përmendet në një kontest tjetër dhe jo në kontest të zgjerimit të aleancës veriatlantike, apo të pranimit të saj në këtë organizatë”, thotë Dujoski.
XS
SM
MD
LG