Ndërlidhjet

Moti i ftohtë, vdesin 16 fëmijë


Një zyrtar afgan ka thënë se të paktën 16 fëmijë kanë humbur jetën këtë muaj, si pasojë e motit të ftohtë.

Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Ghulam Sakhi Kargar, ka konfirmuar shifrat të mërkurën, pasi autoritetet afgane fillimisht kishin dyshuar për vdekjen e fëmijëve në tre kampe refugjatësh, jashtë Kabulit.

Kargar, duke folur për Radion Afganistani i Lirë, tha se nëntë fëmijë kanë vdekur në Karahi Kambar, pesë në Bagrami dhe një në Milibas.

“Shkaktar i vdekjeve është moti i ftohtë. Shumica e tyre kanë vdekur gjatë natës. Ne kemi caktuar ekipe mobile shëndetësore për t’i vizituar këto kampe. Nëse shqetësimet e tyre janë rutinore, do t’iu bëjmë trajtimin bazik. Nëse situata është më serioze, ata do të zhvendosen në objektet tona shëndetësore”, ka thënë Kargar.

Më shumë se 30 afganë, shumica në verilindje të vendit, kanë humbur jetën këtë dimër nga reshjet e dendura të borës dhe temperaturat e ulëta.

Shërbimi Meteorologjik i Afganistanit ka thënë se vendi po përjeton motin më të keq në të paktën 15 vjet.
XS
SM
MD
LG