Ndërlidhjet

Nuk lejojmë të minohet pavarësia


Këshilli i Sigurimit - Foto arkiv.
Këshilli i Sigurimit - Foto arkiv.
Qëndrime të ndryshme për situatën në Kosovë janë vënë në pah edhe në mbledhjen e së mërkurës të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, në të cilën Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë potencuar se nuk do të lejojnë që të minohet pavarësia dhe sovraniteti i Kosovës, ndërsa Rusia e Serbia janë përpjekur që të paraqesin një imazh negativ të gjendjes në vend.

Në raportin e sekretarit Ban, është potencuar situata e tensionuar në veri, për të cilën është thënë se po ndikon në dialogun që po zhvillohet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Duke i bërë një analizë të hollësishme gjendjes në Kosovë, sekretari i përgjithshëm ka bërë thirrje që të hiqet dorë nga dhuna, ndërsa ka nënvizuar se i duhet dhënë shans më të madh dialogut.

Zhvillimet gjatë periudhës raportuese kanë vënë në pah se ende si populli, ashtu edhe komuniteti ndërkombëtar, përballet me rrezikun për paqen dhe stabilitetin dhe këtë e kanë shkaktuar tensionet në veri, që rrezikojnë të eskalojnë në tensione ndëretnike, thuhet ndër të tjera në raport.

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, pasi që ka vënë në pah përparimin e arritur në ato fusha, ku Kosova ka mundur të veprojë si e vetme, ka theksuar ngecjet në zbatimin e marrëveshjeve që kanë dalë nga dialogu mes Kosovës e Serbisë.

Ai ka nënvizuar gjendjen e rëndë në veri dhe mungesën e lirisë së lëvizjes atje, për shkak të bllokadave të rrugës që, siç ka thënë Hoxhaj, janë ngritur nga ekstremistët serbë dhe strukturat shtetërore të Serbisë që paguhen nga Beogradi. Duke marrë shkas nga kjo, Hoxhaj ka kërkuar që Serbia të mos shpërblehet me statusin e kandidatit, pa shpërbërjen e strukturave të policisë dhe sigurisë në veri të Kosovës.

“Nëse Serbia shpërblehet me statusin e kandidatit, pa shpërndarjen e strukturave të policisë dhe sigurisë në veri të Kosovës, largimin e barrikadave dhe zbatimin e plotë të marrëveshjeve, atëherë pasojat do të jenë afatshkurtra dhe afatgjate. Situata e status quo-së në tri komunat veriore të Kosovës do të transformojë në një konflikt të ngrirë; marrëveshjet e arritura përmes dialogut teknik nuk do të zbatohen; dhe procesi i normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk do të ketë të ardhme”, ka paralajmëruar Hoxhaj.

Në anën tjetër, ministri i Jashtëm i Serbisë, Vuk Jeremiq, ka thënë se gjendja në veri “mbetet jostabile për shkak të përpjekjeve të njëanshme për të ndryshuar realitetin në terren, në kundërshtim me Rezolutën 12 44 dhe me vullnetin e banorëve shumicë”.

Jeremiq edhe në këtë takim ka këmbëngulur në respektimin e rezolutës 12 44 në kuadër të përfaqësimit të Kosovës në takimet rajonale, që po kërkohet në dialogun mes dy palëve.

Ndërkohë, dy tablo të gjendjes në Kosovës janë dhënë edhe në këtë takim të Këshillit të Sigurimit: ajo e një shteti të ri, dhe përpjekjeve të krijimit të shoqërisë multi-etnike e përshkruar nga ministri Hoxhaj, si dhe tabloja e një getoje, ku shkelen të drejtat e njeriut, nga ana e ministrit serb, Vuk Jeremiq.

“E shfrytëzoj rastin që ta thërras Këshillin e Sigurimit që ta vizitojë Serbinë, përfshirë Kosovën dhe ta shihni vetë se si është situata. Ju keni për të parë tela gjemborë, geto dhe do të shihni se sot në zemër të Evropës, shoqëria me e rrezikuar është ajo e serbëve, të paktën në disa pjesë”, ka thënë Jeremiq, të cilit menjëherë i është kundërvënë ministri Hoxhaj.

“Ajo që u tha në minutat e kaluar nuk e reflekton realitetin e atjeshëm. Ajo që u tha disa minuta më herët është përshkrim i një bote që nuk ekziston, sepse ata që e përshkruan Kosovën, nuk kanë qenë kurrë atje dhe nuk e dinë se si duket”, ka thënë Hoxhaj, duke theksuar se qasja e Kosovës nuk është ajo e politikës së konfliktit, por e ripajtimit.

Mbështetje e madhe Kosovës sërish i ka ardhur nga Shtetet e Bashkuara, përkatësisht nga ambasadorja Rosemari diKarlo. Ajo ka thënë se SHBA-ja hedh poshtë secilin veprim që synon të minojë pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës. Këtu, sipas saj, përfshihen strukturat paralele serbe, si dhe forcat serbe të sigurisë, që sipas diplomates amerikane, Di Karlo, ende janë të pranishme në veriun e Kosovës.

"Përpjekjet e Qeverisë së Kosovës kanë shkuar dëm për shkak të pranisë së institucioneve paralele serbe ilegale, ku përfshihen edhe strukturat lokale qeverisëse, policia dhe gjykatat e financuara nga Beogradi, të cilat po kryejnë një fushatë frikësimi kundër cilitdo që është i gatshëm të angazhohen në mënyrë konstruktive me institucionet e Kosovës. Serbia duhet ta ndalë mbështetjen për këto struktura paralele”, ka potencuar DiKarlo.

Ndërkohë, ambasadori i Rusisë në OKB, Vitali Çurkin, i ka bërë thirrje Këshillit të Sigurimit që ta shqyrtojë ftesën e Jeremiqit për ta vizituar Kosovën. Ai ka lavdëruar sekretarin Ban, që ka futur në raportin për Kosovën edhe informacione për hetimet për trafikim organesh që po kryhen nga task-forca e EULEX-it.

Ndryshe, SHBA-ja ka hedhur poshtë pretendimet e disa debatuesve, që këto hetime të kryhen nga ana e OKB-së. (v.t. & a.i.)
XS
SM
MD
LG