Ndërlidhjet

Jeremiq: Zgjidhje vetëm nën 1244-shin


Ministri i Jashtëm i Serbisë, Vuk Jeremiq, ka thënë se negociatat janë rruga e vetme për të arritur zgjidhje të qëndrueshme për problemin e Kosovës, ndërsa kur është fjala për përfaqësimin rajonal të Prishtinës, një gjë e tillë, sipas tij, duhet të jetë “pa mëdyshje” në përputhje me Rezolutën 1244 të OKB-së.

Jeremiq i ka bërë këto komente para Këshillit të Sigurimit të OKB-së, i cili po zhvillon seancën e rregullt për Kosovën.

Duke vënë në dukje se raporti i sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-mun, ka konstatuar progres në dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, Jeremiq ka thënë se Serbia vazhdon t’i përkushtohet këtij procesi, sepse, sipas tij, ai është mekanizmi i vetëm legjitim për tejkalimin e pengesave.

“Kërkimi i rezultateve jashtë bisedimeve është i padobishëm dhe kundër-produktiv”, ka thënë Jeremiq.

Ministri i Jashtëm serb ka komentuar edhe pjesën e raportit të Banit, ku flitet për “trafikimin me organe njerëzore”, konkretisht rastin Medikus.

Jeremiq ka thënë se misioni evropian, EULEX, nuk mund të operojë me një kapacitet maksimal jashtë Kosovës dhe se nuk e ka mandatin e duhur që do t’i mundësonte kryerjen e hetimeve të plota.

“Vetëm hetimet e kryera nën mandatin e Këshillit të Sigurimit mund të sigurojnë një gjë të tillë”, ka thënë Jeremiq.

Duke folur për situatën në veri të Kosovës, Jeremiq ka thënë se “ajo mbetet jostabile për shkak të përpjekjeve të njëanshme për të ndryshuar realitetin në terren, në kundërshtim me Rezolutën 1244 dhe me vullnetin e banorëve shumicë”.

Në takimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së po merr pjesë edhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj.
XS
SM
MD
LG