Ndërlidhjet

Ndalohet lundrimi në Danub


Bullgaria, Kroacia, Rumania dhe Serbia kanë ndaluar lundrimin e anijeve në Danub, për shkak të akullit që ka bllokuar lumin.

Autoritetet thonë se kushtet e motit e kanë bërë tejet të vështirë lundrimin në njërën nga rrugët kryesore ujore të Evropës.

Po në Ballkan, mijëra njerëz mbeten të shkëputur nga pjesa tjetër e botës, pasi reshjet e dendura të borës kanë shkaktuar ndërprerjen e energjisë elektrike dhe të telefonave.

Afro 500 njerëz raportohet të kenë humbur jetën në mbarë Evropën si pasojë e valës së ftohtë që ka përfshirë kontinentin, me temperatura deri në minus 36 gradë celsius.

Shumica e viktimave thuhet të kenë qenë njerëz të varfër dhe të pastrehë.

Ukraina ka regjistruar numrin më të madh të viktimave me 131 të vdekur.

Polonia, Hungaria dhe Rumania janë po ashtu në mesin e vendeve të goditura rëndë nga temperaturat ekstreme, me dhjetëra viktima të regjistruara.
XS
SM
MD
LG