Ndërlidhjet

Synohet zgjidhje jashtë OKB-së


Siri...
Siri...
Ajo që është përshkruar si operacioni kryesor i Sirisë në qytetin qendror Homs, ka vazhduar, ndërsa aktivistët opozitarë sirianë thonë se së paku 31 civilë janë vrarë.

Por, pretendimet e së enjtes për të vrarët nuk mund të verifikohen në mënyrë të pavarur, për shkak të kufizimeve ndaj mediave nga ana e Qeverisë së Sirisë.

Raportohet se bombardime me raketa dhe predha janë parë në disa lagje të qytetit qendror sirian, Homs.

Ky qytet, me afro një milion banorë, është qendër e rezistencës kundër regjimit të presidentit Bashar al-Asad, gjatë konfliktit 11 mujor.

Më 4 shkurt, forcat e sigurisë depërtuan me tanke dhe me armatim të rëndë në atë që qeveria e përshkruan si operacion për t’i shkatërruar “grupet terroriste” dhe ripërtërirë sigurinë. Raportohet se qindra njerëz janë vrarë në sulmin e fundit në Homs.

Më 8 shkurt, shefja për të drejtat e njeriut e Kombeve të Bashkuara, Navi Pillej, ka bërë thirrje për aksion urgjent për t’i mbrojtur civilët nga “masakra” e forcave të sigurisë.

Duke folur para gazetarëve në selinë e Kombeve të Bashkuara, sekretari i përgjithshëm, Ban Ki-mun, e ka dënuar dhunën dhe ka kërkuar që presidenti Asad ta marrë përgjegjësinë.

Pamje nga Siria...
Pamje nga Siria...
Situata e ka arritur shkallën totalisht të papranueshme, ku më tepër se 5 mijë njerëz janë vrarë. Nuk e di saktësisht se sa njerëz janë vrarë prej se komisionarja e lartë e OKB-së për të drejta të njeriut, raportoi se janë vrarë 5 mijë njerëz, në atë kohë. Prej atëherë ne kemi parë së paku 100 civilë të vrarë për çdo ditë. Kjo është e papranueshme. Ai duhet të jetë përgjegjës për të gjithë këtë, dhe kërkoj që kjo të ndalet menjëherë”, tha Ban Ki-mun.

Komuniteti ndërkombëtar vazhdon në përpjekje për gjetjen e përgjigjes ndaj situatës në Siri, pas dështimit të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, që më 4 shkurt, ta miratoj propozim-rezolutën e Ligës Arabe, që bën ftesë për përfundimin e luftimeve dhe që presidenti Asad të tërhiqet.

Ky propozim dokument ishte kundërshtuar nga Rusia dhe Kina me përdorim të vetos.

Presidenca e Rusisë ka njoftuar se presidenti Dmitri Medvedev dhe presidenti i Francës, Nikollas Sarkozi, kanë biseduar me telefon për situatën në Siri, më 8 shkurt.

Ky diskutim u bë pasi Franca, Britania dhe Shtetet e Bashkuara, kanë shprehur dyshime për rezultatet e vizitës në Siri të ministrit të jashtëm rus, Sergei Lavrov, me ç’rast ishte takuar me presidentin Asad.

Zoti Lavrov tha se Asadi ishte i gatshëm për ta ndalur dhunën në Siri dhe të zhvilloj dialog me forcat opozitare. Por, opozita e ka refuzuar dialogun me regjimin e Asadit, duke thënë se presidenti duhet të tërhiqet.

Zëdhënësja e Departamentit amerikan të shtetit, Viktoria Nuland, u tha reporterëve se Uashingtoni po zhvillonte konsultime me aleatët për formimin e grupit, që ajo e quajti “miqtë e Sirisë demokratike”.

Në kontekst të nevojës për vazhdimin e mbështetjes për Sirinë demokratike, jashtë Këshillit të Sigurimit, ne po i shqyrtojmë mundësitë, së bashku me aleatët dhe partnerët tanë, që kujdesen për popullin e Sirisë, për grupin “miqtë e Sirisë demokratike”. Sinqerisht , ne tash po konsultohemi me vendet individuale për atë se kur grupi mund të jetë i gatshëm të takohet”, tha Viktoria Nuland. (f. b.)
XS
SM
MD
LG