Ndërlidhjet

Gjermania rikthen reaktorët bërthamorë


Vala e të ftohtit ka detyruar Gjermaninë - e cila, vitin e kaluar, ka hequr dorë nga prodhimi i energjisë elektrike përmes termocentraleve bërthamore - të rikthejë në punë disa reaktorë.

I ftohti siberian ka çuar në rritje të konsumit të energjisë elektrike dhe ka bërë që operatorët gjermanë të rifusin në punë elektranat atomike, të lëna rezervë, ka kumtuar operatori “Tenet”.

Pas tërmetit dhe cunamit të vitit të kaluar në Japoni, që çoi në rrjedhjen e materialit radioaktiv nga centrali i Fukushimës, Gjermania ka vendosur të heqë gradualisht dorë nga energjia bërthamore, deri në vitin 2022.

Tetë nga 17 reaktorët bërthamorë të Gjermanisë janë hequr nga përdorimi, përderisa pesë të tjerë janë lënë rezervë, në rast se kërkesat për rrymë nuk mund të përmbushen nga burime të tjera.

Dhjetorin e kaluar, Gjermania ka importuar rrymë nga Austria, për të stabilizuar rrjetin e saj të energjisë.
XS
SM
MD
LG