Ndërlidhjet

Prezantohet master-plani për Brezovicën


Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka prezantuar master-planin për zhvillimin e qendrës turistike, e cila do të funksionojë gjatë tërë vitit në Brezovicë, Komuna e Shtërpcës.

“Plani për ringjalljen e Brezovicës parasheh zhvillimin e një qendre turistike malore, në zonën perëndimore, afër qendrës ekzistuese të skijimit”, thuhet në komunikatën për media të zyrës së BE-së në Kosovë.

Qendra e re do të ketë kapacitet për mbi 10,000 mysafirë dhe do të ketë pjerrësira ku mund të bëjnë ski si fillestarët, ashtu edhe ekspertët; pastaj, do të ketë një qendër të fshatit me vende akomodimi, restorante dhe pasuri të paluajtshme.

Planifikohet që të bëhet edhe lidhja me qendrën e ekzistuese të skijimit përmes zgjerimit dhe modernizimit të pjerrësirave dhe zonës ku do jetë baza e tyre.

Ringjallja e qendrës së popullarizuar të skijimit pritet që të krijojë rreth 3,000 vende pune.

Plani thuhet se ka për qëllim që ta bëjë Brezovicën atraktive për investime, duke ruajtur në të njëjtën kohë mjedisin e saj natyror.

“Për zhvillimin e qendrës malore të Brezovicës, si një sipërmarrje investuese afatgjate, do të duhen deri në 10 vjet. Zyra e BE-së mbetet shumë e përkushtuar që të ndihmojë qeverinë në zbatimin e këtij master-plani”, thuhet në komunikatë.

Qeveria e Kosovës pritet që të organizojë një konferencë ndërkombëtare të donatorëve gjatë vitit 2012, për të tërhequr investime potenciale nga sektori publik dhe privat.
XS
SM
MD
LG