Ndërlidhjet

Në Kosovë është folur shumë herë për ndikimin e politikës në sferat e ndryshme. Qytetarët thonë se një ndikim të tillë e kanë parë edhe ne media.

Ata vlerësojnë se ngjarjet politike të pasqyruara nëpër media, qofshin ato të shkruara apo elektronike, mbizotërojnë diskursin medial.

Zamirja nga Prishtina, studente, mendon se mediat e Kosovës u ofrojnë qytetarëve shume ngjarje politike, duke e quajtur të tepruar.

“Të gjitha mediat janë të preokupuara vetëm me politikë. Mendoj që do të duhej të kishte më shumë kulturë, sport, ku rinia mund të qaset”, thotë Zamirja.

Por, ka edhe të tillë që mendojnë se qytetarëve iu interesojnë më së shumti ngjarjet politike. Mentor Krasniqi, rreth të 30 vjeç, thotë se nuk duhet anashkaluar as sporti, kultura e shëndetësia. Ai jep mendimin e tij:

“Gjithmonë ka hapësirë më të madhe për politikë dhe mendoj që ato edhe iu interesojnë më shumë qytetarëve. Por, unë mendoj që u jepet hapësirë më shumë sesa që duhet. Për qytetarët do të ishin më të rëndësishme problemet e përditshme, ngjarjet kulturore, sportive, shëndetësore".

Ndërkaq, Teuta Hyseni, 58-vjeçare, mendon se mediat e Kosovës, e teprojnë me ngjarje politike.

“Përfundimisht i jepet shumë hapësirë politikës. Mendoj se i jepet më shumë se që duhet dhënë”, konsideron Teuta Hyseni.

Krahas pasqyrimit të lajmeve të shumta politike, raportet e ndryshme të organizatave vendore dhe ndërkombëtare, kanë kritikuar mediat se ato nuk janë duke pasqyruar në mënyrë të duhur realitetin në vend.

Mendime të ngjashme japin edhe qytetarët. Gazetarja Sebahate Çavdërbasha, thotë:

“Me keqardhje duhet të them që prej pas luftës, e deri tani, lajme tjera, informata, raporte, të mos flasim për vështrime, përveç politikës nuk ka asgjë. Për shembull, sa i përket kulturës mediat nuk i kushtojnë as 1 për qind. E dihet që nëse do ta njohësh një popull , duhet t’ia njohësh kulturën. Kështu që, hap sytë, mbyll sytë politikë. Kjo është e tepërt”.

Por, ka edhe të atillë, që fare nuk u interesojnë mediat, e aq më pak ngjarjet politike.

“As veshin nuk ua vë. Nuk më interesojnë fare ngjarjet politike. Po të kishte më shumë ngjarje kulturore, punë, fabrika, do të ishte më mirë”, shprehet Shefkije Muha, rreth 40 vjeçe.

Ndërkaq, Atdhe Spahiu, student, mendon se ngjarjet sportive nuk janë mjaftueshëm prezent në media, duke shtuar se e ka mundur politika:

“Ngjarje politike ka të shumta në mediat e Kosovës. Ngec shumë sporti , ngjarjet kulturore e shumë tjera”.
  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

XS
SM
MD
LG