Ndërlidhjet

Opozita s'pranon


Kuvendi i Kosovës
Kuvendi i Kosovës
Partitë opozitare nuk do t’i mbështesin nismat e Qeverisë për formimin e një ekipi të përbashkët për trajtimin e çështjes së veriut të Kosovës. Në vend të formimit të grupeve dhe hartimit të strategjive, opozita kontributin e vet e ofron përmes institucioneve, përkatësisht Kuvendit.

Ndërkaq, nga Qeveria kërkon që në vend të përpjekjeve për gjithë-përfshirje, të ndërmarrë hapa konkret konform përgjegjësive që ka për normalizimin e gjendjes në këtë pjesë të vendit.

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismet Beqiri, thotë se LDK nuk do të jetë pjesë e grupeve dhe planeve eventuale të Qeverisë aktuale për veriun.
Ismet Beqiri
Ismet Beqiri

“Edhe po të ketë ftesë, LDK-ja nuk do t’i bashkëngjitet kurrfarë grupi që formon Qeveria, në këtë rast, as për çështjen e veriut. Fundi i fundit ne konsiderojmë që formimi i grupeve është vetëm për të humbur kohë dhe për të mos kryer punë. Qeveria, partnerët e koalicionit e kanë përgjegjësinë dhe le t’i kryejnë punët e veta”, thotë Beqiri.

Një qëndrim kundër përfshirjes së pozitës dhe opozitës në kuadër të një ekipi të përbashkët për veriun ka edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Zëdhënësi i AAK-së, Ernest Luma, thotë se veriu mbetet çështje jetike dhe sfidë për shtetin e Kosovës. Por, ai e konsideron si aventurë përfshirjen e opozitës në planet e Qeverisë. Aksioni policor i 25 korrikut i vitit të kaluar, nënvizon Ernes Luma, dëshmoi se Qeveria ka nisur një aventurë, së cilës nuk i dihej fundi, kështu që pa u sqaruar qëllimet që ka Qeveria për veriun, AAK nuk do të jetë e gatshme ta mbështes ekzekutivin për veprimet e saj në veri.

AAK
AAK
“Në asnjë mënyrë nuk do të jemi qorrazi pjesë e projekteve me përplot sekrete e të panjohura dhe deri më tani Qeveria ka dëshmuar që ka bërë vetëm aventurë me veriun e Kosovës dhe ne nuk do të jemi pjesë e aventurave. Ne nga jashtë do t’i sfidojmë dhe parandalojmë zhvillimet e këqija për veriun dhe vendin në përgjithësi”, thekson Luma.

Në vend të krijimit të planeve e strategjive të reja, apo edhe caktimit të koordinatorëve e grupeve punuese, opozita i sugjeron Qeverisë që t’i ushtrojë përgjegjësitë kushtetuese në veri.

Ismet Beqiri i LDK-së thotë se opozita përmes Kuvendit do t’i mbështeste hapat eventual të Qeverisë për normalizimin e gjendjes në veri, pa pasur nevojë që të krijohen grupet e përbashkëta punuese.

“Opinioni e di që ka qenë një koordinator për veriun dhe s’ka bërë asgjë. Nuk e them se ka qenë faji i tij, por i punëdhënësit të tij, Qeverisë, që realisht s’ka bërë asnjë përparim dhe ne e kemi thënë vazhdimisht se zgjidhja e problemit të veriut është në Pakon e Ahtisarit dhe kjo është shumë e qartë”, shton Beqiri.

Sidoqoftë, gjendja në veri të Kosovës mbetet e brishtë. Institucionet e Kosovës nuk kanë arritur të shtrijnë autoritetin e tyre në atë pjesë për shkak të kundërshtimeve nga strukturat politike të serbëve lokalë, të cilët nuk e pranojnë shtetin e Kosovës. Këto struktura mbështeten edhe nga Beogradi zyrtar.

Në anën tjetër, Grupi Drejtues Ndërkombëtar për Kosovën në takimin e 25 janarit në Vjenë kishte kërkuar nga Serbia që t’i tërheqë strukturat e saj të sigurisë nga kjo pjesë.

Por, së fundi ishte vetë presidenti i Serbisë, Boris Tadiq, ai i cili në vend të tërheqjes së këtyre strukturave, kërkoi bisedime për një plan katër pikësh, me të cilin ai përpiqet të sigurojë një status special për këtë pjesë të populluar me shumicë serbe.
XS
SM
MD
LG