Ndërlidhjet

Mediat shtetërore të Sirisë thonë se 28 persona janë vrarë dhe mbi 200 të tjerë janë plagosur nga dy shpërthime të makinave bombë, në qytetin Alepo.

Shpërthimet vijnë pas bombardimeve të vazhdueshme të qytetit Homs, të cilat, sipas aktivistëve, kanë lënë qindra të vrarë vetëm gjatë javës së kaluar.

Shtypja që po ushtron presidenti Bashar al-Asad në Siri thuhet ta ketë izoluar vendin, por, megjithatë, ai ka marrë mbështetjen e Rusisë dhe të Kinës, të cilat kanë kundërshtuar rezolutën e Këshillit të Sigurimit që parashihte dorëheqjen e Asadit.

Shefja për politikë të jashtme e Bashkimit Evropian, Kethrin Eshton, i ka bërë thirrje Rusisë të rishqyrtojë pozicionin e saj, përderisa Mbreti Abduallah i Arabisë Saudite ka kritikuar Kombet e Bashkuara se “kanë dështuar të parandalojnë përshkallëzimin e dhunës”.

Që nga marsi i vitit të kaluar, Siria është përfshirë nga protestat që bëjnë thirrje për rrëzimin e regjimit të Asadit. Që nga ajo kohë, mijëra persona kanë humbur jetën në trazira.
XS
SM
MD
LG