Ndërlidhjet

Qeveria e Kosovës është duke krijuar bazën ligjore për kthimin e 30 për qind të mjeteve të Trustit në vend, nga 5 për qind sa aktualisht mund të investohen në tregun bankar të Kosovës.

Trusti i Kursimeve Pensionale të Kosovës, deri në fund të vitit 2011, ka investuar rreth 580 milionë euro, nga të cilat 34 milionë euro në depozitat bankare në Kosovë. Kurse, rreth 545 milionë euro i ka të investuara në instrumente të ndryshme financiare si në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Evropë, Japoni dhe shtete të tjera, bën të ditur në një përgjigje përmes postës elektronike, Jeton Demi, zëdhënës i Trustit.

Ndërsa, rreth 8 milionë euro gjenden në llogarinë e Trustit në Bankën Qendrore të Kosovës, të painvestuara.

Por, për njohës të rrethanave ekonomike, kthimi i mjeteve të trustit në tregun vendor, është i domosdoshëm, por shqetësues për ta mbetet mënyra e shfrytëzimit të tyre.

Lumir Abdixhiku, drejtor ekzekutiv në Institutin “Riinvest”, thekson se tërheqja e parave nga ana e Trustit, është paraparë në buxhetin e këtij viti, siç thotë ai, për të mbuluar deficitin buxhetor.

Ai thotë se Qeveria e Kosovës, mjetet e Trustit nuk duhet t’i konsiderojë si donacion, por si mjete që duhet t’i kthejë sipas normave të interesit. Madje, Abdixhiku shpreh shqetësimin se në një vend me nivel të ulët ekonomik, mund të rrezikohen mjetet e kursimeve private të qytetarëve.

Lumir Abdixhiku

Lumir Abdixhiku

“Kosova po kalon në një fazë të hiper-shpenzimeve, do të thotë gjenerimit të borxhit, dhe borxhi i natyrshëm nuk është një shenjë e mirë. Sidomos në një vend me një ekonomi ku nuk ka performancë dhe pasi që nuk ka performancë, nuk ka aftësi kthyese të mëdha. Prandaj, çdo investim i këtyre parave në një buxhet, i cili nuk është planifikuar mirë, është në një masë rreziku”, thotë Abdixhiku.

Edhe Haki Shatri, ish-ministër i Ekonomisë dhe Financave, thekson nevojën e kthimit të këtyre mjeteve, pasi, sipas tij, vënia në qarkullim e këtij fondi ndikon në zhvillimin e përgjithshëm ekonomik të vendit, dhe mundësitë për kthim janë më të lehta.

Por, në asnjë mënyrë, sipas Shatrit, këto mjete Qeveria nuk duhet t’i shfrytëzojë për mbulim të mungesës së mjeteve buxhetore.

“Nëse këto mjete nuk shkojnë diku ku sjellin ndonjë përfitim në rritje ekonomike, por kryesisht shkojnë ku shkojnë të gjitha mjetet e buxhetit, për paga, pensione qoftë edhe për investime kapitale, por që nuk kapitalizohen drejtpërdrejt, duket jo mjaft e arsyeshme”, thekson Shatri.

Ndërsa, Lumir Abdixhiku vlerëson se mjetet e Trustit, nuk duhet të përdoren për interesa sociale dhe ekonomike, pasi këto para janë kursime private të qytetarëve dhe nuk janë të Kosovës. Sipas tij, këto mjete duhet të investohen në ata sektorë ku ka normë më të lartë të kthimit.

“Borxhi është borxh, nuk janë para që jepen njëherë dhe nuk kthen më, por janë para që duhet të kthen, prandaj nuk ka lajm të mirë në këtë drejtim. Interesi i kthimit është më qenësor në shfrytëzimin e këtyre mjeteve sesa marrja e tyre. Do të thotë, për qytetarët e Kosovës është se këto mjete të investohen aty ku ka kthim më të madh, dhe jo për të akumuluar interesa ekonomike dhe sociale të Kosovës
”, vlerëson Abdixhiku.

Sidoqoftë, zyrtarë të Trustit thonë se ky institucion mirëpret krijimin e mundësive ligjore, për të investuar më shumë mjete në Kosovë.

Megjithatë, në përgjigjen përmes postës elektronike ata bëjnë të ditur, se Bordi i Trustit, do ta shqyrtojë këtë mundësi, sa po të krijohen kushtet e nevojshme për më shumë investime në sistemin bankar në Kosovë.

Ligji i ri për fondet pensionale, i cili rregullon kornizën ligjore të funksionimit të Trustit, tashmë është miratuar në parim në Kuvendin e Kosovës.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG