Ndërlidhjet

logo-print
Çështja e përfaqësimit rajonale të Kosovës është bërë nyje që ka shkaktuar ngecjen e procesit të dialogut teknik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por ndërmjetësuesit evropianë të këtij dialogu duhet të gjejnë një zgjidhje kompromisi, të pranueshme nga të dyja palët, që të tejkalohet kjo situatë, vlerësojnë njohësit e rrethanave politike në Kosovë.

Ata theksojnë se kjo situatë është e dëmshme për të dyja vendet, për proceset nëpër të cilat pritet të kalojnë në të ardhmen. Por, Ilir Deda nga Instituti Kipred, vlerëson se çështja e përfaqësimit të Kosovës, sipas propozimit të ndërmjetësuesit Robert Kuper, me fusnotë, por që ende nuk ka pajtime për përmbajtjen e saj, është e papranueshme të jetë me referencën “Rezoluta 12 44”.

Ilir Deda

Ilir Deda

“Kështu që, edhe pse autoritetet e Kosovës tash janë në presion që ta pranojnë këtë përmendje të 12 44-shit, nuk ma merr mendja që Kosova mund ta pranoj këtë. Kjo edhe një herë e tregon dobësinë e Brukselit që të ushtrojë një trysni të mirëfilltë karshi Beogradit dhe një lëshim pe, të cilin BE-ja e bën ndaj Serbisë para zgjedhjeve parlamentare në maj të këtij viti, që do të mbahen atje”, thotë Deda për Radion Evropa e Lirë.

Njohësi tjetër i rrethanave politike, Ismail Hasani, thotë se në pikën, në të cilën ka arritur tash procesi i dialogut Kosovë - Serbi, është e nevojshme gjetja e një kompromisi, i cili do të mundësonte tejkalimin e situatës së ngrirë. Ngecja e procesit, sipas tij, nuk është e dobishme për asnjërën palë, e sidomos për Kosovën, e cila ka fituar, siç thotë ai, pikë të seriozitetit, si partner në raport me Brukselin dhe Uashingtonin.

“Tejkalimi i situatës do të duhej të gjendej me një zgjidhje të ndërmjetme, e cila do të nënkuptonte jo kënaqjen e apetiteve të të ashtuquajturve politikanë folklorik që kanë prirje për grafitë, që kënaqen me atë atributin e republikës. Por, edhe në anën tjetër, tejkalimin e situatës, që të mos ngopen apetitet e pangopshme të Serbisë në raport me Kosovën, sepse ka përfunduar koha e përfaqësimit të Kosovës në mënyrë tjetër”, vlerëson Hasani.

Hasani shton se Kosova më nuk mund të përfaqësohet me UNMIK apo me mekanizmat tjerë, që ai i quan paternalistë, për shkak se shteti i Kosovës tashmë është njohur ndërkombëtarisht prej një numri të konsiderueshëm të shteteve.

Megjithatë, Deda vlerëson se procesi i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka arritur në një pikë, që nuk lejon kthim prapa.

“Do të thotë, edhe Kosova edhe Serbia janë të ngurta në pozitat e veta. Por, megjithatë, mendoj se Kosova nuk e ka atë luks që të lëshojë pe edhe në këtë. Dhe, nuk duhet të lëshojë pe në këtë çështje, të përfaqësimit rajonal dhe të ketë referencë në Rezolutën 12 44”, thekson Deda.

Ndërkaq, Hasani thotë se çështja e fusnotës është banalizuar. Ai vlerëson se, megjithatë, një zgjidhje është mundshme.
Problemi është që Brukseli duhet të tregojë shkallë më të lartë të seriozitetit, t’i disiplinojë të dy palët dhe të dalë me një propozim të ndërmjetëm...

“Nuk është asnjë fatkeqësi nëse ndodh përfaqësimi në trajtën ‘Kosova’ ose ‘Kosovo’, për faktin se në një mënyrë të tillë përfaqësohet edhe Gjermania, si fuqi jo vetëm evropiane".

"Por, problemi është që Brukseli duhet të tregojë shkallë më të lartë të seriozitetit, t’i disiplinojë të dy palët dhe të dalë me një propozim të ndërmjetëm, i cili do të nënkuptonte tejkalimin e situatës së ngrirë në lëvizjet diplomatike të mëtutjeshme”
, sqaron për Radion Evropa e Lirë, Hasani.

Sidoqoftë, takimi i radhës ndërmjet palëve në dialog ende nuk është përcaktuar dhe ai mbetet peng i pajtimit të tyre lidhur me çështjen e bashkëpunimit rajonal dhe përfaqësimit të Kosovës.
  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG