Ndërlidhjet

logo-print
Hartimi i platformave të reja dhe krijimi i grupeve punuese për veriun, do të nënkuptonte zvarritje dhe moszgjidhje të problemit, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri. Në këtë intervistë ai flet dhe në lidhje me dialogun Kosovë - Serbi si dhe çështjen e shërbimeve sekrete të partive politike, temë kjo e hapur së fundit në Kuvendin e Kosovës.


RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Beqiri, kohët e fundit sërish po aktualizohet çështja e platformave dhe strategjive për veriun e Kosovës. Çfarë kontributi në këtë rast mund të japë opozita dhe konkretisht Lidhja Demokratike e Kosovës?

ISMET BEQIRI
E kemi thënë disa herë dhe e përsërisim se me Partinë Demokratike të Kosovës nuk hyjmë në kurrfarë koalicioni dhe këtij qëndrimi i jemi përmbajtur. Po ashtu, ne në kurrfarë grupi punues, në kurrfarë trupi a mekanizmi që e bën Qeveria, LDK-ja nuk do të marrë pjesë, ngase ne e konsiderojmë se më këso veprime vetëm sa prolongohen punët. Është një tentim për një lloj arsyetimi për mospunën e deritashme.

Atë që e ka thënë dhe e përsërit LDK-ja është që ne, kontributin tonë, do ta japim përmes Kuvendit ku jemi partia më e madhe opozitare. Diçka tjetër jashtë kësaj absolutisht nuk pranojmë. Dhe, ne mendojmë që nuk ka nevojë për platforma e kushedi se çfarë zbulimesh epokale, ngase zgjidhja është në Pakon e Ahtisarit dhe nuk ka nevojë për zbulime të reja.

Ajo që duhet të bëjë Qeveria dhe që duhet të kërkohet nga kjo Qeveri, është që të jetë këmbëngulëse ta zbatojë Pakon e Ahtisarit në bashkëpunim dhe bashkëveprim me bashkësinë ndërkombëtare, me të cilën duhet të ketë koordinim dhe të mos ndodhë ajo që po ndodhë aktualisht. Thënë thjesht, krijimi i grupeve punuese, nganjëherë apo edhe shumë herë, është për të mos kryer punë.

RADIO EVROPA E LIRË
Në anën tjetër ka disa propozime që vijnë qoftë nga përfaqësues ndërkombëtarë apo edhe Beogradi, siç ishte propozimi i presidentit serb Tadiq për planin e tij katër pikësh, andaj a shihni ju diçka valide në këto propozime që mund t’u shërbejnë institucioneve të Kosovës për normalizimin e gjendjes në veri?

Ismet Beqiri

Ismet Beqiri

ISMET BEQIRI
Ajo që për ne ka qenë dhe mbetet është se zgjidhja e vetme është te Pakoja e presidentit Ahtisari. Dihet që kostoja e lëshimeve në favor të komuniteteve nuk ishte e ulët për të realizuar synimin tonë për pavarësinë e Kosovës. Edhe këtë e kemi pranuar, këto lëshime për komunitetet dhe jashtë kësaj nuk mund të pranohet asgjë. Është e përcaktuar saktë me Pakon e Ahtisarit se në Mitrovicë duhet të krijohet një komunë e dytë, e cila bashkë me të tjerat duhet të integrohen në sistemin shtetëror të Kosovës.

Dhe, i gjithë fokusi, presioni i bashkësisë ndërkombëtare, veçmas i SHBA-ve, që janë edhe një lloj sponsori i pavarësisë, duhet të jetë shtimi i presionit mbi Beogradin në eliminimin e strukturave ilegale. E them ilegale e jo paralele, sepse atje realisht nuk ka asnjë institucion të Kosovës që funksionon. Prandaj, shpërbërja e këtyre strukturave ilegale dhe presioni ndaj Beogradit, do të krijonte mundësi që me një komoditet, lehtësi, dhe kjo nuk duhet të duket naive, të kryheshin veprimet e duhura në atë pjesë të Kosovës.

Problemi është te Beogradi dhe jo te ne. Andaj, katër-pikëshi, gjashtëpikëshi e tjera, për këto gjëra as që duhet të bisedohet dhe për këtë nuk e ka mandatin askush që në emër të Kosovës të ëbisedoj me dikë, pasi ato prekin sovranitetin dhe integritetin e Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Kur përmenden bisedimet, dihet që një proces i tillë ka filluar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Aktualisht, ka mospajtime rreth një fusnote që ka të bëjë me prezantimin e Kosovës në nismat rajonale. Cili është qëndrimi i LDK-së në lidhje me çështjen e fusnotës?

ISMET BEQIRI
LDK-ja nuk është se ka qenë kundër bisedimeve dhe dialogut. Por, kemi qenë kundër një mënyre të tillë çfarë janë filluar këto bisedime. Kundër një dialogu që është jo produktiv, jo rezultativ, jo i dobishëm për Kosovën. Kanë qenë dhe mbeten bisedime të papërgatitura mirë dhe po i shkojnë në dobi vetëm Serbisë.

Ne e kemi thënë se edhe si të tilla çfarë kanë filluar, të cilat ne nuk i kemi përkrahur dhe nuk i përkrahim, do të ishte së paku e rrugës që pavarësisht se ato janë bisedime kurrfarë, do të duhej të ishte obligimi që marrëveshjet të ratifikohen në Kuvendin e Kosovës.

Tash po kthehem te fusnota dhe kemi rastin kur zonja Tahiri është zëvendëskryeministre, zoti Thaçi është punëdhënës i saj dhe nuk i kanë pasur qëndrimet e njëjta. Kjo, vërtet, është shumë interesante dhe joserioze. Njëri thotë se do të shkojmë pa republikë, tjetri nuk heqim dorë nga republika. Kjo është joserioze dhe ne mendojmë që jo me çdo çmim, jo me çdo kusht ne duhet të marrim pjesë në të ashtuquajtura konferenca rajonale, e tjera, me çmimin që t’i heqim atributet e shtetësisë. Thjesht, duhet të eliminohet çdo gjë që e cenon shtetësinë e Kosovës.

LDK

LDK

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Beqiri, nëse mund t’i kthehemi edhe Kuvendit. Aty tash janë ngritur edhe disa tema të ndryshme në lidhje me shërbimet e partive politike që i kanë pasur, shërbimeve inteligjente. Si i shihni ju këto zhvillime si shef i grupit më të madh opozitar?

ISMET BEQIRI
Mund të them me përgjegjësi të plotë që LDK-ja nuk ka dëshiruar dhe nuk dëshiron që të jetë pjesë e debateve të tilla në Parlament. Konsiderojmë se hapja e temave të tilla në Parlament nuk do të ketë efekt, ngase nuk është Parlamenti dhe nuk janë deputetët ata që mund ta hetojnë njëri-tjetrin. Kjo është e papranueshme. Për të gjitha veprimet e tyre, që nganjëherë është e habitshme kur dëgjojmë që SHIK-u (Shërbimi Informativ i Kosovës), ka bërë veprime kombëtare, e ne nuk e dimë se ka bërë veprime të tilla, ne është mirë t’i dimë, sepse nuk i dimë që ka bërë diçka të tillë.

Nuk është e imja, e Parlamentit, ta vlerësojmë, por nëse kanë bërë veprime kombëtare ata duhet të shpërblehen, por nëse kanë bërë edhe veprime tjera që lidhen me veprime të paligjshme po edhe me krime, duhet ta marrin dënimin. Do të thotë, këtu janë dy çështje, ose shpërblehesh për punën e mirë ose dënohesh për punën e keqe, ose të paligjshme. LDK-ja nuk ka shërbime të tilla dhe kurrë nuk ka pasur, pavarësisht se disa pretendojnë të thirren në LDK-në. Po ashtu, LDK-ja ka humbur shumë njerëz që sot e kësaj dite nuk janë zbuluar rrethanat.

Nuk duam që ta zgjasim gishtin drejt dikujt, por nëse kanë bërë veprimtari kombëtare disa, le të tregojnë ata se kush i vrau këta aktivistë të LDK-së. Mos t’i tregojnë LDK-së, le t’u tregojnë organeve gjyqësore. Më thjesht, ne duam ta ndajmë punën ekzekutive, punën gjyqësore dhe atë legjislative prej asaj partiake.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG