Ndërlidhjet

logo-print
Euro-deputetja Tanja Fajon tha se Maqedonia pavarësisht moszgjidhjes së çështjes së emrit me Greqinë, meriton të fillojë negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Por, Maqedonia paralelisht duhet të realizojë edhe reformat e nevojshme në disa sfera, u tha në konferencën rajonale në Shkup me temë, “Zgjerimi i BE - rrugë me shumë pengesa”.

“Ne jemi përkrahës të mëdhenj të procesit të zgjerimit dhe tentojmë për momentin të bëjmë presion te qeveritë evropiane të bëjnë çmos që të fillojnë negociatat me Maqedoninë. Mendoj se kjo është e rëndësishme, pavarësisht kontestit të pazgjidhur të emrit me Greqinë, pasi kemi rekomandime të qarta nga KE-ja. Personalisht besoj se Maqedonia meriton të fillojë negociatat, megjithatë paralelisht me rëndësi është që të vazhdohet edhe me reformat”, tha Fajon.

Ndërkohë, kryetari i partisë më të madhe maqedonase në opozitë, Branko Cërvenkovski nga LSDM-ja, para eurodeputetëve shfaqi brengosje për përkeqësimin e marrëdhënieve ndëretnike që mund të paraqiten si rezultat i vazhdimit të status quo-së, në planin e euro-integrimeve të vendit.

“Kontesti rajonal tani ka ndryshuar krejtësisht. Kosova është shtet i pavarur, Shqipëria është anëtare e NATO-së dhe kriteret për vlerësim të perspektivave kanë ndryshuar te shqiptarët e Maqedonisë. Shpesh mund të dëgjoni një vlerësim të këtillë, deri kur shqiptarët e Maqedonisë do ta rrezikojnë perspektivën e tyre evropiane për shkak të një problemi që nuk është i tyre, por është i lidhur me identitetin dhe historinë e maqedonasve?".

Branko Cërvenkovski

Branko Cërvenkovski

"Si kalon koha dhe mbetet edhe më tej status quo-ja për integrim në BE dhe NATO. Frikohem se ajo atmosferë mund të dominojë gjithnjë e më shumë, ndërsa ajo do të krijojë probleme shtesë edhe në planin e brendshëm ndaj marrëdhënieve ndëretnike”, u shpreh Cërvenkovski.

Ndërkaq, sipas eurodeputetit Kristian Vigenin, paralelisht me zhvillimin e negociatave për integrimin e vendit në BE ,dhe zgjidhjes së kontestit të emrit, Maqedonia duhet të realizojë reformat dhe të përmbushë kriteret e përcaktuara, sepse ato nuk janë vetëm kërkesë e Brukselit, por ndihmojnë zhvillimet demokratike të vendit.

“Derisa të fillojnë negociatat, KE-ja duhet të gjejë mënyra për përforcimin e zgjerimit me Maqedoninë pasi e dimë çka nevojitet dhe se Maqedonia mund të punojë në ato çështje edhe para se të fillojë me negociatat. Nëse plotësohen këto kërkesa, atëherë Maqedonia shumë lehtë mund të lëvizë në procesin e negociatave për të mos humbur kohë. Ka çështje që duhet të trajtohen dhe ato janë përgjegjësi e Qeverisë që t’i zgjidhë”, theksoi Vigenin.

Kurse, përfaqësues i Fondacionit “Fridrih Ebert” në Shkup, Hajnc Bongart, vlerësoi se Maqedonia duhet të angazhohet më me seriozitet në depolitizimin e sistemit gjyqësor, dhe administratën publike, si dhe të angazhohet për krijimin e kushteve demokratike sa i përket lirisë së shprehjes:

“Çdo vend kandidat duhet të ketë procese më rigoroze të monitorimit, veçanërisht në sferën e demokracisë, parlamentarizmit, transparencës, lirinë e mediave, sundimin e së drejtës dhe luftën kundër krimit dhe korrupsionit”.
XS
SM
MD
LG