Ndërlidhjet

Ndahet nga jeta Uitni Hjuston


Uitni Hjuston.
Uitni Hjuston.

Adhuruesit, yjet dhe krerët e industrisë muzikore kanë nderuar këngëtaren Uitni Hjuston, e cila vdiq në Los Anxhelos në moshën 48-vjeçare.

Hjuston ishte e popullarizuar në vitet e ’80-ta dhe të ’90-ta, me këngët e saj, përfshirë këtu hitin “I Will Always Love You”, por përdorimi i drogës bëri që publiciteti rreth saj në vitet e fundit të përqendrohej në problemet e saj personale.

Shkaku i vdekjes në dhomën e saj në hotelin Beverly Hilton mbetet i paqartë, por policia tha se “nuk ka pasur shenja të dukshme të ndonjë veprimi kriminal”.

Pas lajmit, adhuruesit janë mbledhur jashtë hotelit Beverly Hilton, duke ndezur qirinj dhe duke kënduar këngë.

Për njërën nga ta, Monet Miçell, vdekja e Hjustonit është fundi i një ikone.

“Është shkatërruese që ajo u largua. Ajo ka qenë një nga këngëtaret më të mëdha të të gjitha kohëve. E kam dëgjuar që kur kam qenë e vogël. Lutjet e mia shkojnë për të dhe familjen e saj”, tha Miçell.

Vdekja e Hjustonit pritet ta vë në hije ndarjen e çmimeve Grammy Award, që do tw mbahet të dielën në Los Anxhelos. Ajo do të merrte pjesë në ceremoni.

Shefi organizativ i Grammy-t, Nil Portnou e ka quajtur Hjustonin “një nga këngëtaret më të mëdha të muzikës pop të të gjitha kohërave, që la pas një fonogram të fuqishëm muzikor të tri dekadave të kaluar”.

Aktivisti për të drejtat civile, Rev Al Sharpton, tha se në mëngjesin e Grammy-t, “bota duhet të pushojë dhe të lutet në kujtim të këngëtares së talentuar”.

Shumë yje përmes rrjetit social, Twitter kanë shprehur ndjenjat e tyre, përfshirë këtu Maraja Kerin, e cila ka thënë se “Hjuston, nuk do të harrohet kurrë si një nga zërat më të mëdhenj në tokë”.

Hjuston nisi karrierën duke kënduar fillimisht këngë kishtare dhe soul.
Nëna e saj, këngëtarja kishtare Sisy Hjuston, është kushërirë e këngëtares Dion Varvik, dhe famulleshë e Areta Franklinit. E rritur në Nju Xhersi, Hjuston filloi të këndojë në kishë dhe pastaj në klubet e natës së Nju Jorkut.

Në kulmin e karrierës së saj, ajo ka fituar shumë çmime dhe ka shitur shumë albume, si dhe ka aktruar me sukses në filmat, siç ishte “Truproja”.

Por, në vitet e fundit, përdorimi i drogës dominoi mbi yllin dhe zëri i saj u dëmtua rëndë.

Martesa me këngëtarin Bobi Braun, me të cilin ka një vajzë (Boni Kristinën), ka qenë e rrëmbyeshme, me pretendimet për dhunë familjare. Martesa përfundoi me shkurorëzim në vitin 2007.(a.i.)


XS
SM
MD
LG