Ndërlidhjet

logo-print

S'luftohet varfëria me asistencë sociale


Prishtinë - foto arkiv.

Prishtinë - foto arkiv.

Shkalla e lartë e papunësisë dhe e varfërisë në vend ka bërë që shumë familje kosovare të mbijetojnë vetëm me asistencë sociale, të cilat i gëzojnë nga Qeveria e Kosovës.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, janë rreth 35 mijë familje me 182 mijë anëtarë që përfitojnë ndihmë sociale prej 40 deri në 80 euro në muaj, varësisht nga numri i anëtarëve.

Por, sociologë dhe njohës të çështjeve ekonomike, thonë se varfëria në Kosovë nuk mund të zbutet me dhënien e ndihmave sociale, por duke krijuar mundësi për hapje të vendeve të reja të punës.

Sociologu Fadil Maloku konsideron se asnjë qeveri deri më tash nuk ka pasur prioritet çështjet sociale dhe kjo ka ndikuar që të mos zvogëlohet numri i familjeve që varen nga asistencat sociale. Sipas tij, ekzekutivi i vendit duhet të ketë projekte afatgjate për zbutjen e papunësisë, rrjedhimisht edhe në uljen e shkallës së varfërisë.

“Duhet të merret parasysh që Kosova është një vend me një varfëri ekstreme dhe shkalla e rrezikshmërisë sociale me kategorinë që janë kërcënim permanent social , po ngrihet deri në 25 për qind. Duke e marrë parasysh edhe shkallën e lartë të papunësisë, Qeveria e Kosovës duhet të krijojë, para së gjithash, parakushte për hapje të vendeve të reja të punës”, vlerëson Maloku.

Duke kërkuar lëmoshë në rrugët e Prishtinës...

Duke kërkuar lëmoshë në rrugët e Prishtinës...

Në anën tjetër, njohës të rrethanave ekonomike, pohojnë se pa zhvillim ekonomik, nuk mund të ketë zbutje të papunësisë dhe varfërisë.

Profesori i ekonomisë, Isa Tahiri, thekson se kur Qeveria e Kosova nuk ka mundësi dhe aftësi të gjenerojë vende të reja të punës, një ndihmë solide për familjet në nevojë janë edhe asistencat sociale.

Nuk mund të themi se është krejtësisht e mirë, apo se mund të vijë deri te zhvillimi ekonomik, apo përparimi personal i asaj familjeje që jeton nga ndihma sociale, pavarësisht shumës që merr. Ekonomia e Kosovës duhet të zhvillohet aq shumë, 10 fish më shumë. Po flas në bazë të të dhënave zyrtare - mbi 300 mijë janë të papunë, kurse çdo vit 30 mijë hyjnë në tregun e punës dhe janë të papunë. Kjo do të thotë se Kosova është duke ardhur deri të vobekësia e përgjithshme e popullatës”, thekson Tahiri.

Profesor Tahiri parash që me forcimin e sistemit bankar, Administratës Tatimore dhe sistemit doganor, buxheti i Kosovës mund të rritet deri në 50 për qind. Ndërsa, sipas tij, me zhvillimin e ekonomisë dhe sektorit të bujqësisë, mund të rritet numri i të punësuarave, që do të ndikonte në përmirësimin e mirëqenies sociale të qytetarëve.

“Një bazë kryesore për ngritjen e mirëqenies ekonomike në të ardhmen, është zhvillim ekonomik dhe trajtimi i nivelit më të lartë të aspektit agro-biznesor, pra bujqësisë, blegtorisë, vreshtarisë etj. Kjo mund të ndikojë në punësimin deri në 4 persona për çdo familje. Kjo është e vetmja alternative për momentin, ndërsa të tjerat mund të vijnë përmes donacioneve të ndryshme”, shton Tahiri.

Sipas të dhënave të fundit të Bankës Botërore, thuhet se 34 për qind e popullsisë jeton në varfëri, ndërsa sipas organizatave të ndryshme vendore, shkalla e papunësisë në Kosovë, llogaritet të jetë 43 për qind.

E, zyrtarë të Qeverisë tashmë kanë premtuar se gjatë këtij viti do të punojnë për zbutjen e këtyre shifrave. Sipas tyre, nga buxheti i Kosovës janë siguruar 11 milionë euro, të cilat do të dedikohen vetëm për zbutjen e varfërisë.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG