Ndërlidhjet

Arsimi i integruar, çështje e mbyllur!


Shkollë në Kumanovë, Maqedoni.
Shkollë në Kumanovë, Maqedoni.
Arsimi i integruar apo mësimi i maqedonishtes nga klasa e parë për nxënësit shqiptarë, është çështje e mbyllur që nuk do të mund të realizohet asnjëherë, thonë përfaqësues të partive politike dhe të Lidhjes së Arsimtarëve Shqiptarë, duke komentuar rikthimin e debatit për këtë çështje gjatë vizitës së zhvilluar ditë më parë në Maqedoni nga Komisionari i lartë i OSBE-së, për pakicat kombëtare, Knut Volebek.

Nuhi Dardhishta nga LASH-i, thotë se shqiptarët nuk i ikin maqedonishtes, pasi si gjuhë të dytë e mësojnë që nga klasa e katërt, pastaj në arsimin e mesëm, si dhe në atë universitar, por mësimi i saj nga klasa e klasa e parë, nuk është ide e menduar mirë.

Shkolla Fillore "Kongresi i Manastirit", Kumanovë.
Shkolla Fillore "Kongresi i Manastirit", Kumanovë.
“Ideja e tillë është e papranueshme dhe e parealizueshme, pasi të gjithë mësimdhënësit, pedagogët, psikologët, mjekët e kështu me radhë, parashohin se fëmijët tanë nuk mund ta mësojnë maqedonishten prej klasës së parë, por prej klasës së katërt në arsimin fillor dhe në arsimin e mesëm të obligueshëm. Pra, nëntë vjet mësohet gjuha maqedonishte, pastaj në çdo fakultet gjuhën maqedonase e kanë provim, pra në të gjitha fakultetet, të arsimit të lartë”, thotë Dardhishta.

Sipas Dardhishtës, procesi arsimor në Maqedoni ka nevojë për integrim të programeve mësimore me ato të Bashkimit Evropian, ku dhe synon të integrohet Maqedonia dhe jo të merret me eksperimente, siç shprehet ai, që vetëm sa ngrenë tensione të panevojshme.

Propozimi për arsimin e integruar fillimisht ishte paraparë të testohej në disa komuna, por një nismë e tillë kishte dështuar pasi maqedonishtja parashihej të futej si lëndë nga klasa e parë, ndërsa për nxënësit maqedonas, mësimi i gjuhës shqipe nuk ishte i obligueshëm.

“Arsimimi që nga mosha më e hershme është i një rëndësie të jashtëzakonshme për njohjen e njëri-tjetrit, jo për të jetuar njëri pranë tjetrit, por njëri me tjetrin. Kjo duhet të jetë sfida me madhe e shoqërisë sonë dhe unë jam e bindur se të gjithë ne këtu do të kemi energji të mjaftueshme dhe mirëkuptim për të biseduar për të gjitha temat, përfshirë dhe këtë të arsimit të integruar”, shprehet Silvana Boneva nga VMRO-DPMNE-ja në pushtet.

Por, nga opozita shqiptare thonë se strategjitë e këtilla janë absurde dhe madje asimiluese në kohën kur arsimi shqip përballet me kushte të rënda.

“Në një situatë kur kushtet në arsimin shqip janë katastrofale, kur investimet në arsimin shqip janë dy, tre apo vetëm katër për qind nga i gjithë buxheti, kur kemi shkolla, në të cilat mësimi zhvillohet në tri ndërrime, tani gjithë këtij diskriminimi tentojnë t’ia bashkëngjisin edhe vulën e integrimit. Vlerësimi se shoqëria në këtë shtet po ndahet në shqiptare dhe maqedonase dhe se kjo po paraqet rrezik për ata, është pasojë e diskriminimit dhe nuk e shëron integrimi pa kusht që të çon në asimilim”, thotë Imer Aliu nga PDSH-ja.

Ndërkaq, nga OSBE-ja thonë se ideja e tyre është keqkuptuar pasi projekti nuk parashihte që detyrimisht nxënësit të mësonin maqedonishten. Pas takimeve që kishte zhvilluar me drejtuesit e lartë shtetërorë dhe përfaqësuesit e partive politike, komisionari i lartë i OSBE-së, Knut Volebek, kishte rekomanduar modifikimin e strategjisë, pasi, sipas tij, heqja dorë prej saj, nuk i ndihmon afrimit të dy komuniteteve më të mëdha në vend.
XS
SM
MD
LG