Ndërlidhjet

E hëna, ditë zie në Kosovë


Presidentja atifete Jahjaga vizitoi të mbijetuarën e ortekut, Prizren, 12 shkurt.

Presidentja atifete Jahjaga vizitoi të mbijetuarën e ortekut, Prizren, 12 shkurt.

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, shpalli ditën e hënë, datë 13 shkurt 2012, ditë zie shtetërore, në nderim të anëtarëve të familjeve Reka, që pësuan në fatkeqësinë natyrore në fshatin Restelicë të komunës së Dragashit.

"Vendimi për shpalljen e ditës së zisë u mor në bazë të nenit 48 pikat 1, 2.4 dhe 4 të ligjit për Protokollin e Shtetit, Ligji Nr. 03/L-132", thuhet në njoftimin e Kabinetit të presidentes.

Ndërkohë, gjatë ditës së diel, presidentja Jahjaga vizitoi në spitalin rajonal të Prizrenit, Asmira Rekën, të mbijetuarën e vetme të tragjedisë së shkaktuar nga moti i keq në fshatin Restelicë të komunës së Dragashit, në të cilën pësuan anëtarët e familjes Reka.

“Është një tragjedi e rëndë humbja e jetëve të njerëzve si pasojë e ortekut të borës, një fatkeqësi elementare e paparashikueshme. Ju shpreh ngushëllimet më të thella familjarëve! Ata do të kenë përkrahjen dhe mbështetjen institucionale për të sanuar pasojat e kësaj fatkeqësie”, tha presidentja Jahjaga.

Presidentja Jahjaga veçoi “punën e palodhshme të Forcave të Sigurisë së Kosovës, Policisë së Kosovës, KFOR-it dhe qytetarëve vullnetarë për përpjekjet e tyre të pandërprera për të hapur rrugën dhe për t’u ardhur në ndihmë të të ngujuarve në Restelicë”.

Me këtë rast, presidentja Jahjaga ndau 10 mijë euro nga fondi i Zyrës së Presidentes për të ndihmuar adresimin e nevojave emergjente për familjet e goditura të fshatit Restelicë.

Në anën tjetër, në vendin ku ka rrëshqitur orteku, në Restelicë të dielën qëndroi edhe kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, së bashku me disa ministra të Qeverisë, komandanti i FSK-së dhe personalitete të tjera.

Ndërkohë, kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, ngushëlloi familjarët e viktimave, si dhe vlerësuar lart angazhimin e pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, të Policisë së Kosovës, të trupave të KFOR-it, si dhe qytetarëve, “që në këto kushte tejet të vështira atmosferike po bëjnë gjithçka që është e mundur për të nxjerrë dhe shpëtuar të goditurit nga orteku i borës".

Në anën tjetër, partia opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës për shkak të gjendjes emergjente, në të cilën ndodhen shumica e komunave të vendit, nga reshjet e mëdha të borës dhe temperaturat e ulëta, LDK, përmes një deklarate për media, kërkoi nga Qeveria e Republikës së Kosovës dhe nga institucionet e tjera, angazhim maksimal, për t’u dalë në ndihmë pushteteve lokale dhe qytetarëve.

"Për shkak të borës së madhe dhe mungesës së infrastrukturës së nevojshme, shumica e pushteteve lokale e kanë të pamundur që vetë ta kalojnë këtë gjendje. Kjo vlen në radhë të parë për disa nga komunat e Rrafshit të Dukagjinit, si Istogu, Peja, Deçani, Juniku, Gjakova etj., të cilat, për shkak të borës që ka arritur deri në 2 metra, janë pothuajse tërësisht të bllokuar", thuhet në deklaratë.

"Në këtë situatë, ndihma e Qeverisë është e domosdoshme, që të ndihmohet për hapjen e rrugëve dhe për zhbllokimin e vendbanimeve të bllokuara tash e sa ditë. Nëse gjendja mbetet e tillë, ekziston rreziku që të cenohet edhe më shumë siguria e qytetarëve të atyre komunave të Republikës së Kosovës", theksohet në deklaratën e LDK-së.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG