Ndërlidhjet

Athina në "zjarr"


Pamje nga Athina
Pamje nga Athina
Zjarrfikësit kanë fikur ndërtesat që digjeshin në vete dhe kanë larguar mbeturinat e natës së mbrëmshme nga qendra e Athinës, e cila u kaplua nga trazirat, pasi që ligjvënësit miratuan masat e ashpra të kursimit, për të shmangur falimentimin e vendit.

Të paktën 45 ndërtesa janë djegur, përfshirë një nga kinematë më të vjetra të qytetit, ndërsa dhjetëra dyqaneve e kafeneve u janë thyer xhamat dhe janë plaçkitur.

Më shumë se 120 njerëz janë lënduar në trazirat që shpërthyen edhe në qytetet tjera greke.

Parlamenti i Greqisë
Parlamenti i Greqisë
Trazirat nisën para votimit historik në parlament për masat shtesë të kursimit. Ligjvënësit votuan projektligjin me 199 vota pro, kundrejt 77 votave që ishin kundër.

Masat e reja të kursimit parashohin shkurtime të vendeve të punës në sektorin civil dhe ulje të pagës minimale.

Në shkëmbim, Greqia merr pakon e dytë të shpëtimit në vlerë prej 130 miliardë eurosh e vlefshme për të shpaguar borxhet dhe për ta shmangur falimentimin.
Ministri grek i financave Evangelos Venizelos u kërkoi ligjvënësve që të miratojnë masat për hir të shtetit.

Ndërsa kryeministri grek Lukas Papademos pasi ka kritikuar veprimet e protestuesve, të cilat i ka cilësuar si vandale dhe të patolerushme për një vend demokratik, u ka kërkuar votën ligjvënësve.

Nga ju dhe vota juaj do të varet nëse Greqia do të mbetet në eurozonë apo jo. Duke votuar për këtë program ekonomik dhe duke i hapur rrugë marrëveshjes për kredi, ju do të vendosni themelet për rerormimin dhe rimëkëmbjen ekonomike. Kjo është mënyra më e mirë për t’i shërbyer interesit të popullit”, ka thënë Papademos.

Dimitris Papadimoulis, deputet i Partisë Komuniste, ka thënë se me votimin e së dielës iu dha fund një qeverisjeje të keqe.

Sot shënohet fillimi i një fundi të metodave të gabuara të qeverisjes me dekada, që e sollën në këto telashe Greqinë. Në zgjedhjet e ardhshme, qytetarët do ta dënojnë Demokracinë e Re dhe partinë Pasok”, ka thënë Papadimoulis.

Më optimiste për të ardhmen është shprehur deputetja Olga Kefalogiani e Partisë Demokracia e Re.

Unë votova për, sepse besoj në perspektivën evropiane të Greqisë. Besoj se stabiliteti i vetëm për Greqinë është që të mbetemi në eurozonë, dhe natyrisht kjo nënkupton se duhet të bëjmë shumë sakrifica”, tha Kefalogiani.

Socialistët në pushtet dhe partnerja e tyre e koalicionit, Demokracia e Re kanë shumicën në parlamentin me 300 ulëse.

Përleshjet në Greqi
Përleshjet në Greqi
Greqia ka hyrë në vitin e pestë të recesionit ku papunësia ka arritur rekordin prej 18 për qind. Në këtë shtet tashmë janë aplikuar rritje të taksave dhe masat tjera të ashpra të kursimit, ndërsa durimit për shtimin e masave tjera duket se i ka ardhur fundi.

Para votimit, ministri gjerman i financave, Volfgang Shauble citohet të ketë thënë se Greqia nuk mund të mbetet “një gropë e pafund”.

Ai ka thënë se u takon grekëve që të vendosin nëse shteti i tyre duhet të mbetet në eurozonë.

Ministrat e financave të BE-së tash pritet që të takohen më 16 shkurt për të diskutuar nëse veprimet e ndërmarra nga parlamenti grek mjaftojnë për t’ia lëshuar shtetin helen pakon e dytë të shpëtimit nga BE-ja, FMN-ja dhe Banka Qendrore Evropiane.

Greqia ka marrë pakon e parë të shpëtimit në muajin maj të 2010-ës, në vlerën prej 110 miliardë eurosh.(a.i.)

Miratohet plani i kursimit, Athina në zjarr
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:13 0:00
XS
SM
MD
LG