Ndërlidhjet

Adele, fituese e 6 çmimeve Grammy


Adele mban 6 çmimet Grammy të fituara në ceremoninë e 54-të në Los Angjelos
Adele mban 6 çmimet Grammy të fituara në ceremoninë e 54-të në Los Angjelos
Këngëtarja 23 vjeçare britanike Adele doli fituesja më e madhe e çmimeve Grammy që u ndanë të dielën, në një cermeoni e cila u vu në hije nga vdekja e yllit të popit, Uitni Hjuston.

Adele, albumi “21” i së cilës është vënë në krye të toplistave në 19 javët e kaluara, ka fituar në të gjashtë kategoritë në të cilat ishte nominuar.

Në çmime përfshiheshin ai për albumin më të mirë, artisti më i mirë pop, kënga më e mirë për singlin e saj “Rolling in the Deep, të cilën e këndoi edhe në cermeoninë në Los Angjelos.

Fitues tjerë të medhenj ishin rok bendi Foo Fighters dhe reperi Keni Uest, në mbrëmjen ku performuan yjet e mëdhenj si Pol Mekartni, Brus Springstin e Glen Kampbell.

Por, manifestimi u vu në hije nga vdekja e papritur e Hjustonit, fama e së cilës u rrit në ’80-tat dhe ’90-tat me hitet si "Greatest Love of All" dhe "How Will I Know?"

Hjuston u gjet e vdekur të dielën në një dhomë hoteli në Los Angjelos, vetëm disa orë para se të paraqitej për një performancë të veçantë para ceremonisë Grammy.

Hjuston, ka luftuar një kohë të gjatë me varësinë ndaj drogës.

Mjeku ligjor ka refuzuar të japë komente në lidhje me rrethanat e vdekjs së saj, duke thënë se vdekja e saj nuk është e dyshimtë.

Zyrtarët thanë se nuk do të njoftojnë shkakun e vdekejs derisa të mos marrin rezultatet e testeve toksikologjike, të cilat mund të marrin disa javë për të dalë. Artistët përfshirë LL Cool J dhe Rihana kanë nderuar Hjustonin me komentet e tyre në cermeoninë e ndarjes së çmimeve Grammy.

Legjenda e muzikës, Stivi Uonder, ishte në mesin e atyre që bëri një paraqitje emocionale për nder të këngëtares.

“Vetëm dua t’i them Uitnit lart në parajsë, ne të gjithë e duam Uitni Hjustonin”, ka thënë Uodner.

Këngëtarja dhe aktorja Xhenifer Hadson ka kënduar hitin e madh të Hjustonit, "I Will Always Love You,” që ka qenë kolonë zanore e filmit të vitit 1992, “Truproja”, në të cilin Hjuston ka luajtur së bashku me Kevin Kostnerin.

Nderimet për Hjustonin kanë vazhduar të hënën, ku fituesi i çmimit Nobel për Paqe, Nelson Mandela, ka ofruar ngushëllimet për vdekjen e këngëtares, duke kujtuar se e kishte parë atë të performonte në një drekë në vitin 1994.
XS
SM
MD
LG