Ndërlidhjet

Statuti i Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, si akti më i lartë juridik, po ndërrohet sërish, edhe pse kjo është bërë dy muaj më parë, konkretisht në dhjetorin e vitit të kaluar.

Anëtarë të komisionit për shëndetësi në Kuvendin e Kosovës tonë se ndërrimi i statutit po bëhet për interesa të grupeve të caktuara nga udhëheqës institucionesh. Por, Ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani e mohon një gjë të tillë.

Time Kadriaj, anëtare e komisionit për shëndetësi nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, thotë se ndërrimi i statutit të Qendrës Klinike, nuk po bëhet për institucionin por për një kategori të caktuar të njerëzve.

Për mua nuk është logjike se me ndërrimin e disa individëve dhe strukturave udhëheqëse nëpër ministri, të ndërrohet edhe statuti i QKUK-së. Atëherë po del , a po bëhet statuti për institucionin, apo për një kategori të caktuar të njerëzve. Statuti i ka vetëm dy muaj që është aprovuar, dhe ministri me deklarata bombastike e ka komentuar këtë, se po bëhet punë e madhe, se po rregullohet struktura organizative në QKUK dhe po rregullohen shumë gjëra”, thotë ajo.

Por ministri Agani i mohon deklaratat e Time Kadrijaj, duke thënë se në mënyrë kategorike e përjashton këtë mundësi.

Në mënyrë kategorike e përjashtoj çfarëdo mundësie që kjo është bërë për interesa individuale. Bëhet fjalë vetëm për lehtësimin e funksionimin e QKUK-së kur ne po kalojmë prej një sistemi anarkronik shëndetësor në një sistem bashkëkohor. Dhe ndryshimet janë të domosdoshme”, thotë ai.

Edhe sindikalistët nuk duket të jenë të kënaqur me ndërrimin e statutit të këtij institucioni.

Xhemajl Selmani, kryetar i sindikatës së QKUK-së thotë se do të duhej të jenë pjesë e këtij ndryshimi.

Mendimi ynë si sindikatë është që mos të riformulohet në zyra të menaxhmentit, por të nxirret në shqyrtim publik nëpër klinika, dhe ne t’i japim vërejtjet tona si sindikatë, por edhe personeli që punon aty. Dhe nëse ndërrohet, të ndërrohet një herë e mirë, dhe ne t’i japim vërejtjet tona”.

Por, drejtori i Qendrës Klinike Universitare, Njazi Gashi, pohon se nuk është e paraparë me ligj të jenë të përfshirë sindikalistët, në ndryshimin e statutit, dhe se sipas tij, statuti do të ndryshojë sa herë që ka nevojë.

Nuk është e paraparë me kurrfarë ligji përfshirja e sindikatës në përpilimin e statutit, është e paraparë pjesëmarrja e fakultetit të mjekësisë në përpilim e këtij statuti dhe ne atë e kemi bërë, dhe ministria është në biseda edhe me anëtarë të komisionit për përpilimin e statutit, edhe ata janë të kyçur. Kështu që kjo po merr formë definitive dhe të qëndrueshme në aspektin definitiv”, shprehet Gashi.

Ndërrimi i statutit, për të dytën herë brenda dy muajsh, doemos lidhet edhe me anulimin e konkursit të fundit të drejtorëve të klinikave brenda Qendrës Klinike Universitare. Këtë e thotë zonja Kadrijaj.

Po del në pah se menjëherë pas zgjedhjes së drejtorëve, një ditë pas emërimit të tyre, po shkarkohen gjithë drejtorët e klinikave, dhe tash po flitet për plotësim-ndryshim të statutit të QKUK-së. Kush e ka punuar statutin e parë dhe kush, kujt ia ka përshtatë, tash pse brenda 2 muajve po ndërrohet, tash po punon një kategori tjetër në komision”.

Por ministri Agani e ka një shpjegim tjetër lidhur me këtë.

Statuti i QKUK-së para ndryshimit paraprak, që ka ndodhur në dhjetor të vitit të kaluar, është ndërruar herën e fundit në vitin 2007. Pra, 5 vjet nuk ka pasur kurrfarë ndryshime të statutit, dhe kjo ka reflektuar një pasivitet të palejueshëm në institucionin më të rëndësishëm të vendit. Dhe ndryshimet e statutit kanë qenë domosdoshmëri në mënyrë që të reflektojnë nevojat e kohës”, shprehet Agani.

Sidoqoftë, konkursi i anuluar një ditë pas zgjedhjes së drejtorëve të klinikave është bërë me arsyetimin e mospërfilljes së nenit të 23.5 të statutit të QKUK-së, dhe mos respektimin në përpikëri të dispozitave ligjore në fuqi.
  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

XS
SM
MD
LG