Ndërlidhjet

logo-print

Kosova po vazhdon të ballafaqohet me temperatura të ulëta dhe reshje të borës.

Këto kushte atmosferike, të cilat kanë nisur që nga fundi i muajit janar, kanë vështirësuar qarkullimin e automjeteve dhe qytetarëve.

Si pasojë e kësaj, ditëve të fundit është bllokuar edhe afarizmi i disa bizneseve kosovare.

Moti i keq, thotë Bedri Kosumi, pronar i kompanisë “Pestova” në Vushtrri, ka bërë që ai ta ndërpresë për një kohë prodhimin.

Deri sot kemi mundur të lëvizim me vështirësi, por sot definitivisht jemi paralizuar, jemi bllokuar dhe nuk mund të lëvizim askund. Ne furnizojmë gati gjithë Kosovën dhe më gjerë me prodhimet tona, por tani nuk jemi duke mundur”, thekson Kosumi.

Ai thotë se nuk kanë ende të dhëna të sakta se sa mund të jenë humbjet që janë shkaktuar nga mosfunksionimi i duhur i veprimtarisë së tyre, por që, sipas tij, humbjet janë të mëdha.

Vështirësitë e bizneseve vendore nga moti i ligë që po mbretëron në Kosovë i kanë konfirmuar edhe përfaqësues të bizneseve.

Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit Agim Shahini thotë për Radon Evropa e Lirë se moti i vështirë që e ka kapluar Kosovën ditëve të fundit, ka vështirësuar qarkullimin e mallrave.

Moti i vështirë që ka kapluar Kosovën ditëve të fundit ka vështirësuar eksportin i cili edhe ashtu nuk është në nivelin e duhur. Po ashtu ka ndikuar negativisht edhe në import, sepse në kemi edhe rënie të importit për shkak të kushteve të vështira atmosferike, por kjo nuk do të thotë se ka mungesa të produkteve në Kosovë”, thekson Shahini.

Në anën tjetër, përfaqësues të Doganave të Kosovës thonë se reshjet e borës kanë bllokuar dhe kanë vështirësuar qarkullimin në pikat kufitare të Kosovës dhe eksporti dhe importi i mallrave është zvogëluar dukshëm.

Zëdhënësi i Doganave të Kosovës, Adriatik Stavilecvi thotë për Radion Evropa e Lirë se mallrat e vetme që janë duke hyrë në Kosovë janë derivate e naftës dhe disa produkte tjera të cilat kanë peshë të vogël.

Sipas tij, pika kufitare Kullë –Rozhajë, është e pakalueshme dhe është i pamundur qarkullimi i mallrave.

Në Vermicë, niveli i importit i cili ka qenë afër 100 maune në ditë, tani ka rënë në një apo dy maune në ditë. Po ashtu edhe te Hani i Elezit, që është një prej porteve kryesore ku futen mallrat e Kosovës, ka një nivel shumë të vogël të importit . Kryesisht mallrat e vetme që janë duke ardhur janë nafta dhe derivatet e naftës dhe ato me sasi të zvogëluar”, thekson Stavilevci.

Kosova është kapluar nga moti i ftohtë, ngjashëm sikurse edhe shumë shtete tjera në Ballkan dhe në Evropë. Temperatura të ulëta dhe reshje të borës në Kosovë pritet që të ketë gjatë tërë javës.
  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG