Ndërlidhjet

logo-print

SHBA: Ndihmë edhe për Kosovën në buxhet

  • RFE /RL

Propozim buxheti federal prej 3800 miliardë dollarësh për vitin fiskal 2013

Propozim buxheti federal prej 3800 miliardë dollarësh për vitin fiskal 2013


Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barak Obama, mbrëmë e ka shpallur propozim buxhetin federal prej 3800 miliardë dollarësh për vitin fiskal 2013.

Ky dokument synon nxitjen e rritjes së numrit të të punësuarve dhe parasheh “shkurtime të vështira”, përfshirë edhe reduktimet e ndihmës së Shteteve të Bashkuara për Euroazi.

Sipas propozim – buxhetit, Kosova do të jetë në vendin e tretë për nga ndihma e Shteteve të Bashkuara në rajon, pas Ukrainës dhe Gjeorgjisë.

Propozim – buxheti, i cili tash shkon tek anëtarët e Kongresit të Shteteve të Bashkuara, ka pak gjasë që të shndërrohet në ligj, për shkak të klimës së ashpër ndër-partiake në Uashington dhe manovrimeve politike këtë vit, që është vit zgjedhor.

Presidenti amerikan Barak Obama

Presidenti amerikan Barak Obama

Por, duke folur në stilin e fushatës, në një tubim afër Uashingtonit, presidenti Barak Obama, tha se plani i tij do ta mbajë ekonominë e ndjeshme amerikane, që të lëvizë në drejtimin e duhur.

Ideja kryesore në buxhet është kjo: në kohën kur ekonomia jonë po rritet dhe po krijon vende të punës me një ritëm më të shpejtë, ne duhet të bëjmë çdo gjë të mundshme për ta mbajtur këtë ripërtëritje në binarë. Pjesë e punës tonë është që ta ulim deficitin dhe nëse Kongresi e miraton këtë buxhet, atëherë së bashku me shkurtimet që ne tashmë i kemi bërë, ne do të jemi në gjendje ta reduktojmë deficitin tonë për 4 mijë miliardë deri në vitin 2022”, tha Presidenti Barak Obama.

​Kursimet e theksuara do të vijnë nga rritja e taksave për amerikanët më të pasur dhe nëpërmjet shkurtimeve fiskale në disa agjenci të ndryshme qeveritare.

Derisa, Departamenti amerikan i shtetit dhe Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), do të kenë rritje prej 1.6% në buxhetet e tyre, duke e sjellë buxhetin e tyre të plotë në 51.6 miliardë dollarë për vitin 2013, disa fusha do të kenë reduktime të mëdha.

Ndihma për Evropën dhe Euroazinë do të përjetojë një rënie prej 18%, ndërsa Departamenti amerikan i shtetit, këtë e shpjegon me faktin se ai reflekton “tranzicion të suksesshëm të një numri të vendeve në demokracitë e bazuara në treg”.

Pa i përmendur në mënyrë specifike, zoti Obama e ka pranuar se disa nga fushat e sugjeruara nga ai për kursime nuk ishin ideale.

Po i propozoj disa shkurtime, që sinqerisht, normalisht nuk do t’i bëja, nëse ato nuk do të ishin të domosdoshme. E vërteta është se ne duhet të bëjmë disa zgjidhje të vështira me qëllim që këtë vend ta kthejmë prapa në rrugën fiskale më të qëndrueshme”, tha Barak Obama.

Sipas buxhetit të propozuar, Kosova do të jetë në vendin e tretë për nga ndihma amerikane në rajonin e Euroazisë, pas Ukrainës (54 milionë dollarë) dhe Gjeorgjisë (43 milionë dollarë).

Pas Kosovës, vjen Rusia, për të cilën Shtetet e Bashkuara do të ndajnë 36.2 milionë dollarë, që do të përdoren për mbështetje të shoqërisë civile, e cila aktualisht është nën presion, për mbështetje të programeve për zbutjen e konflikteve në Kaukazin Verior, e të tjera. (f. b.)

Trego komentet

XS
SM
MD
LG