Ndërlidhjet

Kërkesa e Serbisë - ëndërr


Brenda Kuvendit të Serbisë
Brenda Kuvendit të Serbisë

Fondi i krijuar nga privatizimi i ndërmarrjeve shoqërore në Kosovë, menaxhohet vetëm nga institucionet e Republikës se Kosovës, dhe shteti i Serbisë nuk mund t’i bllokojë këto mjete.

Kështu përgjigjen autoritetet zyrtare në Prishtinë, pas kërkesës se Serbisë për bllokimin e 400 milionë eurove të privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore në Kosovë.

Sipas mjeteve të informimit beogradase, kjo çështje thuhet se është ngritur nga Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë Vuk Jeremiq, në kuadër të bisedimeve me sekretarin e përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Mun, pas seancës së Këshillit të Sigurimit.

Artan Behrami, këshilltar në Ministrinë e Punëve të Jashtme, shprehet se Kosova është shtet i pavarur dhe sovran, dhe të gjitha përgjegjësitë që kanë të bëjnë më pronat dhe fondin e privatizimit i takojnë shtetit të Kosovës dhe askujt tjetër.

Ai madje thotë se Beogradi zyrtar duhet të fokusohet që të gjejë mënyra për dëmshpërblim të qytetarëve të Kosovës, për dëmet njerëzore dhe materiale të shkaktuara gjatë viteve të 90-ta, dhe jo të merret më kërkesa të tilla.

Ne mendojmë se deklaratat e tilla, nuk i kontribuojnë aspak normalizimit të raporteve në mes Republikës se Kosovës dhe asaj të Serbisë, po ashtu janë në kundërshtim me frymën e dialogut teknik që po zhvillohet në mes këtyre dy shteteve”.

Është mirë që zoti Jeremiq, që mos të humbasë shumë kohe dhe energji me Kosovën. Po ashtu mendojmë se është koha fundit që zoti Jeremiq dhe Serbia të fokusojnë energjinë e tyre dhe të gjejnë mënyra për dëmshpërblim të qytetarëve të Kosovës, për dëmet njerëzore dhe materiale që i kanë shkaktuar gjatë viteve të 90-a”, thekson Behrami.

Mjetet e informimit në Beograd, citojnë Vuk Jeremiqin të ketë thënë se mjetet e privatizimit nuk guxojnë t’i marrin institucionet paralele në Prishtinë.

Atje ekziston një organizatë që quhet Agjencia Kosovare e Privatizimit dhe ajo këmbëngul se është trashëgimtare e Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit, që nuk është e saktë. Në emër të Serbisë kërkoj që të bllokohen ato mjete”, citohet të ketë thënë Jeremiq.

Por, Shkëlzen Lluka, drejtor menaxhues në Agjencinë Kosovare të Privatizimit, që është pasardhëse e Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit, thotë se AKM-ja më herët i ka transferuar këto mjetet në llogari të AKP-së, dhe mjetet janë kompetencë e kësaj të fundit.

Ai madje thotë se Serbia nuk mund t’i bllokojë mjetet e AKP-së. Kërkesën e Serbisë, Lluka e quan dëshirë të pa realizuar.

Kërkesa e Serbisë, është e tillë, mund të jetë vetëm një dëshirë, por kjo kërkesë nuk mund të realizohet. Pas shpalljes se pavarësisë se Kosovës dhe hyrjes në fuqi të Kushtetues dhe Ligjit të AKP-së, Agjencia Kosovare e Privatizimit është i vetmi institucionin i autorizuar që t’i mbajë këto mjete në mirëbesim për kreditorët dhe pronarët e mundshëm”, thotë Lluka.

Lluka, pohon se fondi i privatizimit prej rreth 600 milionë eurosh, ruhet për t’i kompensuar kreditorët eventualë nga shitja e ndërmarrjeve shoqërore gjatë procesit të privatizimit.

Dhe nëse shteti fqinj i Serbisë, thotë Lluka, pretendon se ka ndërmarrje në Kosovë, atëherë duhet të paraqesë kërkesë kreditore, për t’u vlerësuar më vonë nga autoritete kompetente se a është e ligjshme.

Kjo kërkesë nuk është nga data e sotme, kjo kërkesë është e kamotshme. Republika e Serbisë, që nga fillimi edhe para shpalljes se pavarësisë dhe pas saj, gjithmonë pretendon se është themeluese e këtyre ndërmarrjeve shoqërore dhe për këtë arsye i kërkon këto mjete”.

Mënyra e vetme që ata mund të bëjnë, është që ata të përcjellin procedurën ligjore dhe të paraqesin kërkesën kreditore, si të gjithë kreditorët e njëjtë, do të thotë të jenë të barabartë më të gjithë. Pastaj autoriteti i likuidimit do t’i vlerësojë nëse kërkesat e tyre janë të ligjshme apo janë bërë gjatë periudhës së ligjeve diskriminuese të nxjerra nga Republika e Serbisë”, thekson Lluka.

Autoritetet e Serbisë ende refuzojnë të njohin subjektivitetin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit dhe për këtë arsye, ky shtet tashmë ka privatizuar disa asete të ndërmarrjeve shoqërore të Kosovës që gjenden në territorin e Serbisë.
XS
SM
MD
LG