Ndërlidhjet

Maqedoni: Lëvizje e lirë për Shqipërinë


Pamje nga Shkupi
Pamje nga Shkupi
Pas marrëveshjes me Serbinë, Qeveria e Maqedonisë ka miratuar vendimin për lëvizjen e lirë të qytetarëve edhe me Shqipërinë vetëm me letërnjoftime biometrike.

Zëdhënësi i qeverisë Muhamed Hoxha, thotë se dy qeveritë kanë pajtueshmëri edhe për instalimin e një pike doganore të përbashkët, si dhe realizimin e lidhjes së drejtpërdrejt hekurudhore nga porti i Durrësit deri në Strugë.

Kjo marrëveshje është një hap plus për thellimin e bashkëpunimit mes dy vendeve, sepse Maqedonia dhe Shqipëria kanë marrëdhënie të shkëlqyeshme në të gjitha sferat; si në bashkëpunimin ekonomik, shkencor dhe kulturor”, thekson Hoxha, duke shtuar se një vendim i tillë do të miratohet edhe me Kosovën, pas lëshimit të dokumentit biometrik.

Ne tani kemi të nënshkruar dhe një marrëveshje mes dy ministrave të punëve të brendshme, atë të Kosovës dhe Maqedonisë, që qytetarët e dy vendeve të udhëtojnë vetëm me letërnjoftim. Ka vullnet politik nga ana e dy vendeve, por Kosova duhet të përfundojë me procesin e dhënies së letërnjoftimeve biometrike, gjë që është edhe kushti kryesor për nënshkrimin dhe funksionimin e një marrëveshjeje të këtillë”, bën të ditur Hoxha.

Ndërkohë, Stevo Pendarovski, analist, thekson se ky vendim i qeverisë për lëvizjen e lirë të qytetarëve të rajonit është i vonuar.

Ai përkujton se që nga viti 1996, për vendet e Ballkanit Perëndimor, të cilat synonin integrimin në familjen evropiane, u vendos një klauzolë e qartë: “nuk mund të pritet integrimi i vendeve të rajonit në BE, pa integrimin e brendshëm të këtyre vendeve”.

Që atëherë, Brukseli dha një porosi të qartë: fillimisht do të intensifikoni bashkëpunimin në të gjitha sferat më vendet fqinje, përfshirë këtu dhe lëvizjen e lirë të qytetarëve. Pa realizimin e këtyre kritereve, as që mund të shpresohet integrim në BE”.

Madje, ne jemi të vonuar sa i përket procesit të lëvizjes së lirë të qytetarëve pa procedura të komplikuara, ngase integrimi rajonal është parakusht formal për integrimet evropiane”, thekson Pendarovksi.

Sipas tij, integrimi rajonal dhe bashkëpunimi më i ngushtë me vendet fqinje, njëherësh do të thotë dhe stabilitet për Ballkanin Perëndimor.

Ndërkaq, Abdulla Azizi, ligjërues i marrëdhënieve ndërkombëtare në UEJL në Tetovë, vlerëson se kjo masë është në veçanti në interes të qytetarëve shqiptarë, të cilët për arsye të ndryshme, duke përfshirë dhe koston për nxjerrjen e një pasaporte, nuk kanë posedim të saj.

Ulja e nivelit të dokumentit të udhëtimit, ku letërnjoftimi tani bëhet dokument bazë për udhëtim mes vendeve fqinje, paraqet një lehtësim që qytetarët të mund të lëvizin lirshëm, veçanërisht shqiptarët, të cilët për arsye të ndryshme, kanë pasur vështirësi të ndryshme për të nxjerrjen e pasaportës. Ngase, dihet që një numër i madh i shqiptarëve nuk posedojnë pasaportë”, shprehet ai.

Ai shton se një pjesë e theksuar e granteve të BE-së edhe më tej mbeten të pashfrytëzuara, si pasojë e mosbashkëpunimit në nivel të kritereve të përcaktuara nga BE-ja.
XS
SM
MD
LG