Ndërlidhjet

Paneli i BB-së mbështet TC Kosova e Re, reagon INDEP


Termocentralet në Obiliq
Termocentralet në Obiliq
Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj tha se raporti i panelit të ekspertëve të pavarur përkrah Projektin TC Kosova e Re me komponentët e saj, duke “rekomanduar që Qeveria e Kosovës të shkojë përpara me projektin e propozuar sa më shpejt të jetë e mundur me qëllim të përmirësimit të sigurisë së energjisë elektrike dhe ndotjes së mjedisit”.

Këto komente Beqaj i bëri në një konferencë të përbashkët për media me udhëheqësin e panelit të ekspertëve Derek Tejlor pas prezantimin të raportit të panelit të ekspertëve të pavarur dhe diskutimeve me përfaqësues të shoqërisë civile, të cilët paraqitën vërejtjet dhe rekomandimet e tyre lidhur me të.

Beqaj tha se përputhje me Strategjinë e Energjisë së Kosovës dhe legjislacionin në fuqi, Ministria e Zhvillimit Ekonomik përmes Komitetit Drejtues të Projektit TC Kosova e Re është në prag të finalizimit të Kërkesës për Propozime për Projektin në fjalë.

Nga ana e tij, drejtuesi i panelit të pavarur të ekspertëve, Derek Tejlor citohet të ketë thënë se “projekti i TC Kosova e Re përmbush gjashtë kriteret e Bankës Botërore për marrjen në konsideratë të projekteve të gjenerimit të energjisë nga thëngjilli”.

Por, Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP), përmes një komunikate për media thotë se ky institut dhe Sierra Club kanë bërë një vlerësim të punës së ekspertëve dhe kanë analizuar raportin e tyrë përfundimtar, duke e krahasuar atë me dokumentet relevante të Bankës Botërorë.

“Gjetjet tona tregojnë qartë që paneli i pavarur, gjatë vlerësimit, i ka ulur kriteret e Bankës Botërore, në mënyrë që projekti “Kosova e Re” të mund t’i arrijë ato”, thuhet në njoftim.
XS
SM
MD
LG