Ndërlidhjet

Obama: Raportet e mira me Kinën, e mirë botërore


Presidenti Barak Obama pret nënpresidentin kinez, Xi Jinping, Uashington, 14 shkurt 2012

Presidenti Barak Obama pret nënpresidentin kinez, Xi Jinping, Uashington, 14 shkurt 2012

Presidenti amerikan Barak Obama i tha nënpresidentit kinez Shi Jinping se nga raportet e mira amerikano-kineze përfiton e tërë bota.

Shi, 58 vjeç, është propozuar të bëhet president në vitin 2013.

Obama që priti në Shtëpinë e Bardhë nënpresidentin kinez, theksoi rëndësinë e bilancit tregtar në mes të dy shteteve.

“Kina duhet të luajë ‘me rregullat’ e ekonomisë globale dhe Uashingtoni do të vazhdojë të theksojë shqetësimet në lidhje me informacionet për të drejtat e njeriut në Kinë”, tha Obama, për të shtuar se SHBA mirëpret përparimin e Kinës.

“Kam theksuar se ne e mirëpresim rritjen paqësore të Kinës, se ne besojmë se një Kinë e fuqishme dhe përparimtare mund të ndihmojë në sjelljen e stabilitetit dhe prosperitetit në rajon dhe në botë. Ne presim që të vazhdomë këtë rrugë bashkëpunimi të cilën jemi munduar ta ngremë në tri vjetët e kaluara”, tha Obama.

Ai ka thënë se SHBA do të “vazhdojë të theksojë se ne besojmë në rëndësinë e njohjes së aspiratave dhe të të drejtave për të gjithë njerëzit”.

Vizita e tij në Uashington është parë si një shans për të dhe Obamën që ta njohin njëri tjetrin dhe si një përpjekje e SHBA-së për të krijuar rrugë për bashkëpunimin në të ardhmen.

Raportet mes dy shteteve shënuan mospajtime së fundi në lidhje me tregtinë, monedhën kombëtare, të drejtat e njeriut dhe synimet ushtarake.

Në qendër të bisedimeve kanë qenë edhe Korea Veriore, Siria dhe Irani.

Kina iu bashkua javën e kaluar Rusisë në përdorimin e vetos ndaj një rezolute kundër aksioneve të qeverisë siriane ndaj protestuesve.

Më herët Shi u takua me nënpresidentin Xho Bajden, i cili u zotua hapur për tejkalimin e dallimeve.

Shi pritet të takohet edhe me sekretaren e shtetit Hillari Klinton.
XS
SM
MD
LG