Ndërlidhjet

Inflacioni godet shtresën e varfër


Prishtinë...foto nga arkivi
Prishtinë...foto nga arkivi
Çmimet e artikujve ushqimore në Kosovë, të cilat kanë shënuar ngritje, do të jenë të papërballueshme për qytetarët të cilët jetojnë në gjendje të rëndë sociale.

Kështu thonë njohës të çështjeve ekonomike dhe përfaqësues të organizatës joqeveritare “Konsumatori”.

Sipas tyre, ky inflacioni, i cili pritet të ketë efekte edhe më të mëdha muajve të ardhshëm, duhet të jetë një sinjal alarmues për Qeverinë e Kosovës.

Një shitore me këpucë të lira në Prishtinë...
Një shitore me këpucë të lira në Prishtinë...
Eksperti i çështjeve ekonomike, Musa Limani thotë se rritja e vazhdueshme e çmimeve të konsumit në Kosovë po e godet shtresën e varfër të popullsisë, ata të cilët kanë të ardhura mujore tejet të ulëta.

Çmimet e produkteve ushqimore në Kosovë, thekson profesor Limani, janë më të lartat në rajon.

Është prezent fakti se në Kosovë kemi rritje permanente të çmimeve, përkatësisht paraqitjen e inflacionit. Inflacioni drejtpërdrejt godet shportën e konsumatorit dhe normalisht standardin e tyre jetësor. Inflacioni, përkatësisht ngritja e çmimeve kryesisht godet shtresën e ulët të popullsisë”, thekson ai.

Të dhënat e publikuara ditë më parë nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, tregojnë se shporta e konsumit u shtrenjtua për rreth 3 për qind në muajin janar, në krahasim me fillimin e vitit të kaluar, ndërsa në krahasim me dhjetorin, artikujt e nevojshëm të konsumit u shtrenjtuan për 0.7 për qind.

Sipas indeksit të çmimeve për muajin janar, ngritje e çmimeve kryesisht vërehet te përdorimi i pajisjeve për transportin personal, nafta dhe benzina me rreth 11 për qind.

Një litër naftë në janarin e vitit 2011 blihej me çmimin mesatar prej 1.16 euro, derisa sipas të dhënave zyrtare, në janar një litër naftë mesatarisht është shitur për 1.31 euro.

Kjo ngritje e çmimeve, sipas Musa Limanit do të ndikojë në uljen e standardit jetësor të qytetarëve, në rritjen e varfërisë dhe shtimin e problemeve sociale.

Të gjitha këto probleme, thotë profesor Limani duhet të shtyjnë Qeverinë e Kosovës që të hartojnë një plan anti - inflator.

Përndryshe, rreth 60 për qind e popullatës gjenden në kufi të varfërisë, dhe kjo ngritje e çmimeve do ta përkeqësojë edhe më shumë gjendjen e tyre sociale.
Musa Limani
Nëpërmes instrumenteve të politikës ekonomike, dhe pikërisht përmes politikës monetare, qeveria duhet të intervenojë, në kuptimin e zbutjes apo ngadalësimin e inflacionit. Përndryshe, rreth 60 për qind e popullatës gjenden në kufi të varfërisë, dhe kjo ngritje e çmimeve do ta përkeqësojë edhe më shumë gjendjen e tyre sociale”, thekson Limani.

Edhe përfaqësues të organizatës joqeveritarë “Konsumatori”, thonë se ngritja e çmimeve do të varfërojë shportën e konsumatorit.

Kryetari i kësaj organizate, Selatin Kaçaniku, thotë se shtrenjtimi i produkteve elementare në një mjedis siç është Kosova, me 50 për qind të varfër, ngritja e çmimeve është alarmuese.

Çdo shtrenjtim, qoftë edhe me 0.1 apo dy e tre për qind do të këtë pasoja. Unë i frikësohem pasojave që mund t’i ketë ngritja e energjisë elektrike, pasi që kjo ngritje mund të ndërtojë një zinxhir të tmerrshëm shtrenjtimi. Një popullatë prej 55 për qind, që jeton në varfëri, nuk do të përballojë ngritjen e çmimeve”, thekson Kaçaniku.

Por se çfarë duhet të ndërmarrë Qeveria e Kosovës karshi kësaj situate të krijuar, Selatin Kaçaniku shprehet:

Qeveria duhet të bëjë identifikimin e tregut të Kosovës. Ne duhet të dimë se çfarë kushte të tregut veprojmë, ne duhet ta bëjmë një strategji të mirëfilltë, jo vetëm të zhvillimit ekonomik, por edhe strategji karshi konsumatorit. Politika e të bërit duke parë nuk është strategji, dhe kjo çdo herë do të na kanoset me kërcënime të reja të varfërisë”, thekson ai.

Ndryshe, institucionet e Kosovës janë deklaruar tashmë se nuk mund të ndikojnë në uljen e çmimeve, por kanë premtuar se do të shqyrtojnë mundësinë për zbutjen e kësaj gjendjeje.
XS
SM
MD
LG